Aferës ‘Haraç’ i mungon edhe një emër

Opinione

Aferës ‘Haraç’ i mungon, të paktën, edhe një emër. Por, pse ky emër vazhdon të mbulohet me misterin e paprekshmërisë, këtë ende askush nuk po e sqaron. Ajo që po sqarohet edhe publikisht është tejdukshmëria e një loje që po luhet në kurriz të dy të arrestuarve, të cilët, për hir të së vërtetës, janë vetëm korrierë të një afere të pistë

Emin AZEMI

Skema kriminale që posa u zbulua, që në qendër të aktiviteteve kishte zhvatjen e biznesmenëve në këmbim të favoreve të caktuara, nuk mund të jetë e kompletuar deri në fund, nëse mbetet mangut një faktor mjaft i rëndësishëm – kush është personi i tretë i cili ka dhënë vendime për lehtësira juridike ndaj të akuzuarve.

Tash më të gjithë e kanë të qartë se ‘morfologjia’ e kësaj afere po del disi hermafrodite, ose në gjuhën popullorçe po i ngjan gjysma gjelit. Sepse nuk ka kurrfarë logjike që të prangosen vetëm dy veta, kurse personi i tretë të shëtitet i lirë.

Nëse bëhet fjalë për grup të organizuar që ka shantazhuar me haraç biznesmenë të caktuar, dhe nëse janë dhënë para për të blerë lirinë, atëherë shtrohet një pyetje shumë logjikshme: Ku kanë përfunduar ato para? Pse duhet të kalojë kaq kohë dhe të krijohet kaq shumë mjegull në qiellin e pastër? Apo ndoshta dikush po do që prapa mjegullës të kontrabandojë fate të caktuara njerëzish të cilët qëllimisht tani për tani po kursehen, për qëllime e motive të caktuara. Por, një që është e sigurt ka të bëjë me relativizmin e peshës së organeve të drejtësisë kur janë në pyetje ndjekjet ndaj personave të caktuar.

Shumica e atyre personave po del se janë shumë afër pushtetit, ose e gëzojnë mbrojtjen e tij. Ndryshe s’ke si ta sqarosh këtë zvarritje të qëllimshme të hetimeve, ku mungon një hallkë, e cila mban pezull gjithë procesin. Aferës ‘Haraç’ i mungon, të paktën, edhe një emër. Por, pse ky emër vazhdon të mbulohet me misterin e paprekshmërisë, këtë ende askush nuk po e sqaron. Ajo që po sqarohet edhe publikisht është tejdukshmëria e një loje që po luhet në kurriz të dy të arrestuarve, të cilët, për hir të së vërtetës, janë vetëm korrierë të një afere të pistë.

Baronët e vërtetë të kësaj afere dhe aferave të tjera vazhdojnë të rrinë nën hije. Ende nuk dihet se çfarë hije është – e dudit a e arrës , por në këtë vend ka kohë që nuk i kap rrezja e diellit disa të vërteta të cilat qëllimisht paketohen si mistere. Involvimi i thellë i politikës në të gjitha intrigat, përfshi edhe aferat që po zbulohen dita ditës, ka bërë që perspektiva evropiane e vendit të vihet në pikëpyetje. Ata që synojnë marrjen e pushtetit pas premtimeve se do të bëjnë mrekullia, e harrojnë një pjesë të procesit pasi të kenë ardhur në pushtet.

Me cila vese dhe manire e imitojnë pushtetin pararendës dhe ku konsiston e përbashkëta e të gjitha pushteteve? Të ndodhur në mes ty zjarreve, pushtetet e këtushme kanë qenë të pafuqishëm të heqin dorë nga maniret e caktuara që kanë karakterizuar pushtetin pararendës, por në anën tjetër janë ndodhur edhe të papërgatitur shpirtërisht në sfidën e procesit eurointegrues.

Në Ballkan ka kohë që politikanët aplikojnë sloganin ‘pak hajn, pak eurointegrues’ dhe me këtë parullë në shpinë ata po ia mësyjnë Brukselit.Por, ajo që mbetet mister është tolerimi që iu bëhet atyre nga ana e burokratëve të BE-së. Këta të fundit madje duken mjaft të entuziazmuar teksa dalin në syret më këtë lloj politikanësh, dhe nuk iu bëhet vonë të na shesin demagogjira për teori politike diplomatike.