Aftësia për të renditur fjalë që asnjëherë nuk përfundojnë në një fjali të qartë është mbresëlënëse. Ndërsa përditshmëria ofron një pamje tjetër, asgjë nuk e ndal marshimin e Nastradinëve drejt parashikimeve të radhës.
Bisedat televizive të mbrëmjeve do të ishin krejt të mërzitshme nëse do të mungonte një racë e veçantë “analistësh” të pajisur me aftësi të rralla për të parashikuar me saktësi të ardhmen.
Me një urrejtje për t’u patur zili për faktet, dokumentet, informacionin apo analizën, fallxhorët bëjnë që Nostradamus të duket si nxënës i tyre.
Nuk e kam fjalën për parashikues yjesh, tregimtarë horoskopesh apo të marrë klikimesh, por për mjaft pjesëmarrës që po konsiderohen ajka e programacioneve televizive.
Çdo mëngjes, drekë dhe mbrëmje, ekspertë turlifarëlloj, herë me xhaketë “avokati”, herë me këmishë analisti dhe shumë herë me syze eksperti, me një siguri që ta jep vetëm padija kumtojnë profeci. Të verbër si Baba Vanga, këta nuk kanë dhe nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër përveç… parashikimeve.
Kur vjen puna te ngjarjet që kanë lidhje me politikën dhe drejtësinë, formula magjike që nxjerrin nga goja të pa mend: “Mbani mend, shumë shpejt diçka e madhe do të ndodhë”. Dhe për të çimentuar parashikimin vjen deklarata: “Mua më dalin parashikimet”, thua se po flasim për shekullin e kaluar.
Dhe në Shqipëri jo diçka, por shumëçka e madhe ndodh çdo ditë. “Do të vijnë ditë të zeza”…”Do ta shkoni, për momentin nuk mund të them më tepër”…
Shikuesit të tronditur mendojnë të sigurojnë veten dhe familjen përballë hatasë që paralajmërohet se do të mbërrijë në vatrat e lashta arbnore ku parashikuesit janë veshur me aureolën televizive për të ngjarë si “mbinjerëz”.
Informacioni ka vite që ja ka lënë vendin imagjinatës, logjika spekullimit dhe orakujt me ndihmën e moderatorëve garantojnë çdo nate një atmosferë ku përrallat shiten si të vërteta dhe gënjeshtrat si shpallje nga Zoti.
“Do të ketë arrestime së shpejti, do ketë lista ‘non grata-sh’’”, shpallin me siguri a thua se vetë Zoti u ka pëshpëritur në vesh emrat e të burgosurve të ardhshëm. Për t’i dhënë vetes më shumë rëndësi nuk i thonë emrat për 101 arsye dhe arsyeja e parë: Nuk dinë asgjë!
Politikanë, oligarkë, biznesmenë, banditë me uniformë, banditë pa uniformë, apo edhe vetë qeniet jashtëtokësore që sullen rrotull ndihen krejt të pasigurt nga “parashikimet” ogurzezë që varen si shpata e Damokleut mbi kokat e tyre.
Ndërsa ditët ja lënë vendin javëve e javët muajve, parashikimet e llapaqenëve pa llapë nuk dalin, ku disa iniciojnë edhe fshirjen apo korrektimin e profecive nëpër portale.
Por Nostradamusit rikthehen sërish në qendër të vëmendjes: “Prisni diçka do të ndodhë, FBI, NASA, TRUPA 300 e kanë në dorë situatën.” NATO do të ndërhyjë”, “Pellzagët do ringrihen”.
Fallxhorët të divorcuar nga realiteti dhe e vërteta, kanë ngritur në art, paqartësinë duke vizatuar veç një injorancë që çuditërisht ndiqet si model.
Aftësia për të renditur fjalë që asnjëherë nuk përfundojnë në një fjali të qartë është mbresëlënëse. Ndërsa përditshmëria ofron një pamje tjetër, asgjë nuk e ndal marshimin e Nastradinëve drejt parashikimeve të radhës.
Kur ndonjëri si pula qorre kap ndonjë kokërr gruri, nisin daullet e madhështisë nën kakarisje që as vetë nuk i kuptojnë. Në banaqet ku kërcejnë tango fantazia dhe marrëzia, fallxhorët janë ata që kanë aftësinë të shohin të ardhmen jo vetëm në filxhanin e kafes turke, por edhe në filxhanin e ekspresit, madje disa edhe të çajit të malit, fushës apo kodrës.
Thonë se edhe ora e prishur dy herë në ditë tregon kohën e saktë. Do të ishte një mrekulli që Baba Vangat e darkës t’i ngjanin orës së prishur, atëherë do të ishin vërtet profetë.
Ndërsa moderatoret që ftojnë “te dalët mendsh” për të dhënë mend… ka kohë që i kanë lëshuar jo vetëm pëllumbat por edhe të vegjlit e tyre. Kaq për sot sepse po vjen ora 21:00.
Shkruar nga Lutfi Dervishi