Kajsia, fruti i verës që pastron gjakun dhe mëlçinë

Shendeti

Përveç përdorimit në kuzhinë për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme, kajsia renditet edhe si një frut kurues. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e kajsisë, të cilat janë të pasura me shumë vlera ushqyese. Frutat e kajsisë përdoren të freskëta ose të thata, si dhe të përpunuara në trajtë kompostoje, reçeli dhe lëngu.

Fruta e freskët ka vlera të mira ushqimore. Ajo përmban rreth 14 për qind sheqerna, acide organike, albumina, pektinë, kripëra minerale, si: kalium, fosfor, kalcium, vitamina të ndryshme si provitamina A, Vitaminë B1, B2, PP, C etj. Në frutat e thata sasia e sheqerit arrin deri në 60 për qind.

Frutat e kajsisë janë të shijshme, aromatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit.

Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Ndërsa bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.