Sipas shkencëtarëve, shkaqet më të zakonshme të pagjumësisë përfshijnë zakonet e këqija të të fjeturit, disa çrregullime të shëndetit dhe probleme psikiatrike, por del se edhe ushqimi që hani mund të ndikojë në cilësinë e pushimit tuaj, sepse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis një mezeje të natës së vonë dhe gjendjes së trurit dhe trupit tuaj në përgjithësi.
Më poshtë gjeni një listë të ushqimeve që nuk duhet të hani para se të flini:
Mente
Edhe pse menteja patjetër ka shumë përfitime shëndetësore, gjumi i mirë nuk është një prej tyre.
Pra, nëse jeni mësuar të konsumoni karamele apo çamçakëzë me mente pas darkës për të freskuar frymëmarrjen ose po pini çaj menteje për t’u çlodhur, është më mirë të hiqni dorë nga këto zakone nëse dëshironi të flini më mirë.
Arsyeja është mjaft e thjeshtë, menteja mund të jetë një nxitje për urthin.
Brokoli
Shumica e perimeve, sidomos brokoli, lakra, karrota dhe lulelakra, kanë sasi të larta të fibrave të patretshme që lëvizin ngadalë përmes sistemit tuaj të tretjes.
Pra, nëse hani shumë nga këto perime para gjumit, trupi juaj mund të vazhdojë të punojë në tretjen e tyre ndërkohë që ju jeni duke u përpjekur të flini. Kjo mund t’ju ndalojë të bëni gjumë optimal duke ju mbajtur zgjuar gjatë natës.
Qepë
Rezulton se qepët mund të shkaktojnë gazra dhe fryrje në stomak, sepse ato përmbajnë fibra të tretshme të quajtur fructans. Presioni shtesë në stomak mund të rezultojë në refluks acid, një gjendje e pakëndshme ku acidi i stomakut kthehet përsëri në fyt.
Pra, nëse ju jeni duke ngrënë një darkë të shëndetshme, sigurohuni që ajo të mos përmbajë sasi të mëdha të qepëve.
Arra dhe frutat e thata
Pa dyshim, arrat dhe frutat e thata mund të jenë një ushqim i përkryer gjatë natës kur të shikosh filmin tënd të preferuar në shtrat, por është më mirë të shmangësh këtë lloj ushqimi përpara se të flesh, sepse dihet se na siguron forma natyrale të energjisë që nuk na nevojiten gjatë natës.
Është më mirë ta kursejmë këtë energji duke e konsumuar në mëngjes dhe të hamë një grusht me fistikë për mëngjes.
Mish i konservuar
Ushqimet si proshutë dhe sallamërat e ndryshëm përmbajnë nivele të larta të tyraminës, një aminoacid që ndihmon në prodhimin e norepinefrinës stimuluese të trurit, një hormon që funksionon si neurotransmetues.
Dhe përveç kësaj, ato zakonisht janë të larta në yndyrë dhe në proteina të cilat treten shumë ngadalë. Nëse hani proshutë para gjumi, do të keni më shumë gjasa të mos ndiheni rehat dhe nuk do të jeni në gjendje të flini sepse truri dhe stomaku juaj do të vazhdojnë të funksionojnë.
Ushqimet pikante
Në sajë të përfitimeve të tyre për rritjen e metabolizmit, disa erëza si piperi i kuq ose speci djegës shpesh përdoren nga ata që duan të humbin peshë, por ato gjithashtu mund të prishin gjumin e natës duke shkaktuar urth në fyt.
Së bashku me problemet e tretjes, ushqimet pikante dhe me erëza rrisin temperaturën e trupit tuaj, gjë që mund t’ju rrisë shanset për të qëndruar zgjuar gjatë natës.
Akullore
Nëse konsumoni një tas me akullore me çokollatë, menjëherë përpara se të shkoni në shtrat, patjetër që duhet ta harroni se do të bëni një gjumë të mirë natën.
Kjo mund të shpjegohet me sasinë e lartë të yndyrës që gjendet në akulloren që tretet me shpejtësi të ngadaltë në stomakun tuaj. Kështu që, në vend të akullores së ëmbël dhe yndyrore, është më mirë të konsumoni kos me nivel të ulët të yndyrës ose qumësht që nuk do ta prishin pushimin tuaj.
Çokollatë e errët
Një kallëp ose 2 çokollate e zezë mund të jetë një mënyrë e mirë për të stimuluar trurin tuaj dhe për të rritur metabolizmin tuaj, por nuk do t’ju ndihmojë të bëni një gjumë të mirë, sepse përmban kafeinë.
Një rregull i përgjithshëm është se çokollata sa më e errët të jetë, aq më shumë kafeinë përmban. Nëse nuk jeni gati të hiqni dorë nga ëmbëlsirat, mund të përpiqeni të hani një copë çokollatë të bardhë në vend të të zezës.
Çaj jeshil
Së bashku me kafeinën, çaji jeshil përmban stimulantë si theobromine dhe theophylline, të cilat mund të shkaktojnë një ritëm të shpejtë të zemrës dhe provokojnë ndjenjat e nervozizmit dhe ankthit.
Nëse jeni i ndjeshëm ndaj kafeinës dhe vuani nga probleme të gjumit ose çrregullime të sistemit nervor, pirja e çajit të gjelbër para gjumit nuk do të jetë një ide e mirë për ju.
Uji
Natyrisht ju duhet të pini shumë ujë gjatë ditës për të qëndruar të hidratuar, por nëse pini shumë para gjumit, mund të bëni “udhëtime” të shpeshta për në banjë gjatë natës. Në vend që të përpiqeni të kompensoni humbjen e ditës gjatë mbrëmjes së vonë, filloni të ulni konsumimin e lëngjeve të paktën 90 minuta para gjumit.