Kancelari austriak: Kosova nuk është vetëm, nëse kërcënohet do të reagohet shpejt

Bota

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammar, ka thënë se shteti austriak dhe Kosova kanë një lidhje historike mes vete. Ai në konferencën për media ka folur për situatën në Ukrainë dhe për kërcënimet për një konflikt të mundshëm në Kosovë.

Kancelari Nehammar në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Rusia ka sulmuar Ukrainën, dhe se në këtë situatë duhet shikuar për ndikimin që mund të ketë dhe si mund të ndihmojnë shtetet njëra tjetrën, transmeton Telegrafi.

“Federata ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe ne duhet të shohim për ndikimin që mund të ketë, dhe si mund të ndihmojmë njëri – tjetrin. Është e rëndësishmes që Austria të jetë urë-lidhëse me Bashkimin Evropian, ne kemi zhvilluar biseda se si mund ta përshpejtojmë procesin. Ne kemi lidhje historike njëri me tjetrin, dhe është e rëndësishme të jemi të lidhur edhe në të ardhmen. Austria paraqet kontingjentin më të madh jo të NATO-s që është në Kosovë. Është e rëndësishme që edhe Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.

Kancelari austriak po ashtu ka thënë se është i gëzuar për bashkëpunimin që ka me Kosovën, duke thënë se pret që edhe Kurti ta vizitojë Austrinë.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka pohuar se në takim me kancelarin austriak kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Austria ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë. Biseduam për marrëdhëniet tona, Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave. Biseduam për situatën politike. Potencova rëndësinë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Kërkova nga kancelari që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave”, theksoi ai.

Kancelari austriak është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa gjatë ditës pritet ta takojë edhe presidenten Vjosa Osmani. /Telegrafi/