Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka pritur në takim kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka.
Rukiqi tha se ky takim përçon një mesazh se OEK synon t’i mbajë të hapura dyert me Shqipërinë.
“Vizita e ka pjesën simbolike që lidhet me zgjedhjen time kryetar dhe me zgjedhjen e strukturave të reja të OEK, është vizita e parë nga homologët e odave të tjera dhe e përçon edhe mesazhin kryesor, objektivi kryesor i OEK dhe orientimi i parë dhe dera e parë që ne tentojmë të mbajmë hapur është Shqipëria”, tha Rukiqi.
“Një kampanjë afatgjate që nuk është vetëm kuptim mediatik, por edhe shumë elemente tjera përcjellëse “Blej shqip”. Për brendet tona më cilësore që kemi, ta çertifikojmë produktin që nuk nënkupton vetëm vendosjen e një llogoje, por edhe çertifikimin e kualitetit të një prejardhje gjeografike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe pastaj të promovohet në tregje ndërkombëtare, si dhe iniciativën e kahmotshme që të kemi një strukturë të përbashkët që do ta përmirësonte komunikimin në mes bizneseve”, ka thënë ai.
Rukiqi ka kërkuar një marrëveshje konkrete për bashkëpunim me Shqipërinë.
“Ne besojmë që para se të kalojmë me iniciative dhe para se të flasim për integrime apo marrëveshje të nivelit rajonal, ne duhet të kemi marrëveshje konkrete dhe bashkëpunim me Shqipërinë”, tha Rukiqi.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, tha se në takim kanë diskutuar për problematikat që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.
“Jam i bindur që nën drejtimin e Beratit do ketë sukses dhe një qasje pozitive të sipërmarrjes së Kosovës dhe gjithashtu bashkëpunim ekonomik në mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Jaka.
“Ka probleme, por jo të pazgjidhshme, është momenti që ne tashmë në kuadër të integrimit rajonal të fillojmë më integrimin Shqipëri-Kosovë, si një integrim ekomomik kombëtar, për t’i shërbyer qytetarëve tanë dhe sipërmarrjeve tona”, tha Jaka.
Jaka i siguroi Rukiqit që Shqipëria do të jetë përkrahëse dhe mbështetëse e Kosovës.
“Jam i bindur që edhe qeveritë do ta kenë qasjen për të zgjidhur problematikat qe sipërmarrjet kanë sepse problematikat e tyre janë edhe të qytetarëve tanë, kështu që ne u dakorduam për shumë gjera dhe shumë shpejt do të dalim me një platformë bashkëpunimi, ku do të përfshihen edhe kërkesat ndaj qeverive tona përkatëse, të cilat kërkesa janë të përsëritura në mënyrë qe zgjidhim problemet që hasin sipërmarrjet tona”, shtoi Jaka.
Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë tha se ka shumë punë për të bërë dhe kërkoi nga qeveria të jenë ndihmuese dhe jo penguese ndaj prodhuesve, në mbërritjen e produkteve shqiptare në Kosovë dhe anasjelltas.
“Ne jemi të bindur dhe të sigurt që bashkëpunimi do të vijojë më shumë, prodhuesit shqiptarë kanë një bashkëpunim të mirë me grupin e prodhuesve të Kosovës dhe tani do fillojmë një bashkëpunim me OEK dhe besoj që në mes dy vendeve ka shumë për të bërë sa i përket prodhimeve vendore”, tha Shkodra,