Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Podgoricë, nga numërimi i 98,8% të votive, koalicioni i deritanishëm qeveritar “Vendimtar për Malin e Zi” i udhëhequr nga PDS e Millo Gjukanoviqit ka fituar 35,12% apo 30 mandate deputetësh.
Pas saj radhitet partia opozitare “Për të ardhmen e Malit të Zi” me 32.54% apo 27 mandate deputetësh. Përveç saj edhe dy koalicionet dhe partitë opozitare kanë marrë vota të konsiderueshme: “Paqja është kombi ynë” me 12.55% apo 10 mandate si dhe koalicioni “Zi e bardhë” me 5.57% apo 4 mandate, i udhëhequr nga lideri shqiptar i partisë URA, Dritan Abazoviç. Ky i fundit do të jetë vendimtar për formimin e koalicionit qeverisës, përcjell INA.
Opozita në total ka 41 deputetë në Kuvendin prej 81 vendeve dhe se ajo mund të formojë Qeverinë që do të dominohej nga serbët. Megjithatë, Abazoviç si lojtari kyç ka theksuar se do të kërkoj Qeveri ekspertësh, dhe se vështirë do të jetë që ai ti bashkohet koalicionit të Gjukanoviqit, për shkak se e konsideron si një kundërshtar të ashpër.
Por përveç këtyre koalicioneve, nga 1 deputet kanë fituar edhe Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar, edhe pse pritjet e tyre ishin për më shumë mandate deputetësh. Socialdemokratët e Malit të Zi kanë fituar 3 deputetë, Partia Boshnjake 3 deputetë dhe SDP dy deputetë. Partia kroate nuk ka arritur që të kaloj pragun.
Sipas këtyre mandateve të fituara, Gjukanoviç me aleatët e tij, përfshirë 2 deputetët shqiptarë, dhe pakicat e tjera ka në total 40 deputetë, ndërsa blloku opozitar 41 deputetë.
Opozita në Mal të Zi mbrëmë ka festuar duke theksuar se në vend erdhi ndryshimi pas 30 viteve të qeverisjes së Gjukanoviçit, që e kanë konsideruar si politikan dhe qeverisje të korruptuar.
Liderët e opozitës Zoran Krivokapiç dhe Aleksa Beçiq I kanë bërë thirrje partive të pakicave që ti bashkohen atyre për të çuar në histori PSD-në e Gjukanoviçit. Por, një pjesë e madhe e opozitës konsiderohet si force proruse dhe se në këtë pikë është zhvilluar edhe fushata e partive në pushtet. Megjithatë vendimtare sërish do të jetë koalicioni “Zi e bardhë” nga Dritan Abazoviç, shqiptari i Ulqinit që udhëheq partinë “URA” dhe i cili ka kërkuar qeveri ekspertësh, nënvizon INA.
Në zgjedhjet e djeshme në Mal të Zi dolën në votime 408 mijë votues apo 76.68% të trupit votues, duke u konsideruar si një jehonë e jashtëzakonshme. (INA)