Ky ishte plani i akademikëve maqedonas për ndarjen e Maqedonisë

Maqedonia e Veriut

Plani i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) u botua në vitin 2001 në një version jozyrtar në gazetën “Veçer” me një hartë, një mbititull:“Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!
“Akademikët e AMSHA mendojnë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-maqedonas pa gjakderdhje” dhe me titull: “Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!, njofton agjencia e lajmeve INA.

Akademia motivin për një mendim të tillë e ka marrë sipas shembullit përmes të cilit viteve të fundit janë zgjidhur krizat ndëretnike në Ballkan me krijimin e territoreve etnike. Thelbi i këtij plani të akademikëve maqedonas ishte ky: “Pas gjithë asaj që ndodhi në Tanushë, Tetovë e në rajonin e Kumanovës, jeta e përbashkët e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk do të jetë e mundshme si më parë. Shqiptarët dhe maqedonasit janë dy civilizime diametralisht të kundërta, dallohen për nga feja, gjuha, zakonet, ndërsa mirëbesimi i krijuar me një mund të madh ndërmjet këtyre dy grupeve etnike gjatë dekadave të shkuara të bashkëjetesës, tani po rrënohet për disa muaj të luftës së ekstremistëve”. Sipas këtyre qëndrimeve, çështje është se a do të mundet në një të ardhme të afërt apo të largët të jetojnë fqinjtë shqiptarë e maqedonas rehat dhe njëri pranë tjetrit.Që të mos ketë luftë dhe gjakderdhje, më civilizuese është që të bëhet ndarje e qetë”, thuhej në arsyetimin e këtij projekti.

Sipas këtij plani, Maqedonia, siç pat propozuar dikur edhe Gligorovi, do të hiqte dorë nga një pjesë e Maqedonisë Perëndimore – Dibra (pa Mavrovën dhe rajonin e Rekës), një pjesë e Gostivarit që kap anën e rajonit të Sharrit dhe kufiri, pastaj do të shkonte për Vardar deri te vendkalimi kufitar i Jazhincës, që do të përfshinte Pollogun me Tetovë, ku është e koncentruar më së shumti popullata shqiptare.

Dhe, krejt këtë, maqedonasit do t’ia jepnin Shqipërisë, për çka e kanë informuar atëherë edhe kryetarin e atëhershëm të ASHA të Shqipërisë, akademikun Ylli Popa, ndërsa për këtë “të mirë”, po sipas këtij plani, Shqipëria do të duhej t’ia falte maqedonasve bregun e saj të liqejve të Ohrit e të Prespës bashkë me Pogradecin dhe Liqenasin, ku sipas tyre jetojnë shumicë e popullsisë maqedonase.

Po sipas atij plani, pastaj shqiptarët e Kumanovës, të Shkupit, të Strugës, Manastirit, Prilepit dhe të Kërçovës do të duhej të shpërnguleshin në Pollog, ndërsa do të lihej pastaj edhe një afat kohor për ndërrim të shtëpive e të pronave me maqedonasit që jetojnë aktualisht në Maqedoninë Perëndimore, të cilët do të dilnin pastaj në “pjesën e territorit maqedonas”. (INA)