Leksione nga Maqedonia e Veriut

Opinione

Në mendjet e secilit në Maqedoninë e veriut, janë ende ngjarjet e 27 prillit dhe dhuna në kuvend, ku mund të kishte dhe viktima, kur zgjidhej Kryetar i Parlamentit, Talat Xhaferi. Por “por-i” fatkeq bën dallimin se presionet, të huaja e të brendshme, tensionet dhe përmbajtja e politikës ndonëse me vështirësi, nuk degjeneruan shtetin. Sa do e rëndë ishte kjo për ne, kur kujtojmë 27 prillin. Nuk krahasohet asgjë me vetshkatërrimin që shpreh e artikulon Shqipëria sot

Nga Nazim RASHIDI

Po shikoj ngjarjet në Shqipëri dhe një gjë është e qartë, se klasa politike andej, nuk ka e idnë se si duket nga jashtë. Dhe duket tmerr. Të gjithë.
Por më shumë se gjithçka ajo që shohim është një mungesë sensi të theksuar për të mirën e përgjithshme. Retorika se qeveria apo mazhoranca e dëshiron këtë konstatim, që mos ketë dallim mes tyre, nuk mban. Ajo që shfaqet, vjen e barabartë nga të gjithë.

Më ka rënë rasti që në këtë periudhë të rri edhe me përfaqësues të mazhorancës edhe ata të opozitës. Retorika e tyre është “do humbim shumë”, apo “s’kemi ça humbim”… por ata… Dhe kush janë “ata”? Partitë. Klasa politike shikon veç rivalët partiakë. Në asnjë moment nuk vura re sensin apo përgjegjshmërinë për njerëzit. “Ata”, por njerëzit të zakonshmit, që me gjithçka çfarë ngjet, në fund ata (njerëzit) do ta pësojnë.

Por para se dikush ta mendojë dhe të thotë, po pse “ju nga jashtë” do tregoni se çfarë duhet të bëjmë. Apo para se të dalë ajo fija e lehtë e arrogancës se “se ne i dimë më mirë punët tona”, apo edhe ato thëniet nën zë se “ata që janë larg nuk e kuptojnë sa duhet politikën në Shqipëri”, po bëj disa shpjegime, që mbase-mbase i vlejnë të gjithëve, kush do që e lexon, se sa komplekse dhe problematike kanë qenë marrëdhëniet dhe situatat në Maqedoni, tani e Veriut dhe si disi klasa politike këtu mbajti një distancë të vështirë e tejet problematike, kur merret parasysh dhe gjithë konteksti ballkanik dhe zhvillimi i përgjithshëm, që nuk është më i lartë se të tjerët në rajon, por sërish gjërat nuk u degjeneruan deri në pikën që të dëmtohej e ardhmja e njerëzve.

E para.
Maqedonia kaloi një periudhë dhjetëvjeçare të një gjysëm diktature ku termi “shtet i kapur” u përdor për herë të parë në raportet e BE-së. Aq e rëndë ishte gjendja sa opozita e atëhershme, do të duhej të shkelte, thyente dhe digjte çdo gjë para vetes. Pati situata të tilla. Pati protesta e përplasje me policinë, pati tensione, u thye dhe një zyrë e presidentit. Dhe… ngjyroseshin godinat qeveritare. Gjuhej me bojë.
U quajt “Revolucioni laramanë”, edhe ky me probleme të tij. Por kishte një vijë që mbante gjithë këtë tension në linjat e një kujdesi për mos shpërthim total. E ky ishte ai ndaj njerëzve. Edhe e ardhmja e tyre por edhe siguria e tyre imediate.

Sot nga distanca kur analizon ato zhvillime ka vlerësime të ndryshme, se sa të manipuluara ishin, se sa partitë nuk arritën ose dhe të tjerat si mundën të fusin në llogarinë e tyre mllefin e njerëzve, por në të gjitha rastet e përplasjes politike, ndaj një gjëje kishte kujdes: Shteti.
Shteti jo thjeshtë si një entitet ligjesh dhe veprimi në një territor por edhe si një koncept me të cilin individi lidhet dhe e vlerëson, nga i cili pret mbështetje por edhe ndaj të cilit ka detyrim. Mbi të gjitha shteti që në esencë ka atë njeriun e zakontë, të cilin politika e përdor e keqpërdor për interesat e saj, por që sërish jo deri në pikën e shkatërrimit total, sërish për hir ta atij njeriu të thjeshtë dhe asaj pak të mirë të përgjithshme.
Ky dimension, nga jashtë as që duket e as që shfaqet në Shqipërinë e asaj që ne e shohim.

E dyta.
Maqedonia dhe sidomos maqedonasit, kaluan një fazë të rëndë në historinë e tyre: ndryshimi i emrit. Sigurisht s’ka pse të dihen detajet. Por nuk është e vështirë të kuptohet se në një shoqëri në një moment të vështirë politik e historik madje. Edhe pse ka abuzim të madh me këtë term “historik” por i tillë ishte momenti, të ketë përplasje të mëdha.

Më shumë se gjysma e maqedonasve ishte dhe është kundër këtij akti, i cili ndryshon shumë çka për ta. Shqiptarët e bëjnë dallimin, në peshoren e vendimit dhe si rrjedhojë edhe të veprimit. Imagjinoni. Në një vend me divergjenca aq të mëdha edhe politike edhe etnike. Përplasje të thela emocionale, ku racionaliteti zor se gjen vend, sa do që ta kërkosh, e sërish në gjithë këtë përplasje të sundojë linja e kujdesit të së mirës së përgjithshme. Apo mposhtja e atij instinkti vetshkatërrues që ta sjell zhgënjimi por edhe ndenja e humbjes. Sepse për shumë i tillë ishte momenti i ndryshimit të emrit.

Por jo. Pati përmbajtje. Vetëpërmbajtje. Sepse kuptohej se ndryshimet politike, të qeverive ndodhin do të ndodhin. Madje edhe emrat e shteteve ndryshojnë, por sërish linja e një të mirë më të përgjithshme mbisundoi. Për njerëzit por edhe për shtetin, i cili është streha e të gjithëve.

E treta.
Veç imagjinoni sa të lënduar ishin e janë ata që s’pranonin këtë ndryshim. Dhe me këtë dhimbje e dënesë, ku nuk ka shumë vend për qetësi Maqedonia e Veriut hyri në proces zgjedhor për president i cili zgjidhet direkt me votat e njerëzve.

Debati në thelb kishte këtë përplasje të madhe: Duhej ose jo të ndryshojë emri. Apo përplasje mes patriotësh dhe tradhtarësh, gjendje “lufte” gati. Por që nuk shpërtheu, e as nuk degjeneroi në retorikë siç e shohim në Tiranë. Aq shumë arsye dhe aq shumë vend për shpërthim, flakë e tym. Por në vend të kësaj kishte rezultat zgjedhor që ndiqej online në çdo sekondë, fitore e humbje dhe në fund president të ri.
Kjo është pasqyra që vjen nga këtej e që sërish nga tymi dhe amullia andej nuk shihet.

Sigurisht. Klasat politike në rajon s’kanë shumë dallim nga formimi. As edhe njerëzit në zhvillimin e tyre. As nuk është qëllimi i idealizimit të situatave apo dhe nivelit të politikanëve të Maqedonisë së Veriut. Ata janë nën atak ditor, çast pas çasti, për korrupsionin, për mashtrimet, për vjedhjet, për mospërgjegjësinë, për të gjitha ato që janë që vëmendje kudo në rajon. Por… dhe është fatkeqe kjo “por” s’kanë qenë aq shkatërrues e vetë shkatërrues. Jo që s’kanë tentuar, jo që s’janë përpjekur. Në mendjet e secilit në Maqedoninë e veriut, janë ende ngjarjet e 27 prillit dhe dhuna në kuvend, ku mund të kishte dhe viktima, kur zgjidhej Kryetar i Parlamentit, Talat Xhaferi. Por “por-i” fatkeq bën dallimin se presionet, të huaja e të brendshme, tensionet dhe përmbajtja e politikës ndonëse me vështirësi, nuk degjeneruan shtetin.

Sa do e rëndë ishte kjo për ne, kur kujtojmë 27 prillin. Nuk krahasohet asgjë me vetshkatërrimin që shpreh e artikulon Shqipëria sot.
Më dalin para fytyra që i njoh, njerëz me të cilt kam punuar, njerëz me të cilët nuk komunikoj më, gati të gjithë me një sens superior për atë që kanë arrirë, mbase me të drejtë. Madje edhe unë jam krenar me ta. Por thuajse të gjithë i lidh shprehja “S’bëhet ky vend”. Vend i tyre, të cilin e zhvatin të tërë, e tek i cili kanë gjithë synimin për çarë edhe më shumë përpara.

Kjo nuk është të dashur, as shpërthim patriotik, as shpërthim kritike, është një pasqyrë, e gjithë veprimeve që po bëhen, e që nuk shihen dot, nga tymrat e amullia, që krijohet nga klasa politike mbase dhe elitat, të cilat së bashku nuk shohin nga lartë e pak nga më larg.
E pamja është kjo: Papërgjegjshmëri totale, ndaj vetes, njerëzve dhe Shtetit. Si do që ta shihni shtetin!

Burimi: gazetës KOHA