MASH: Drejtoria të respektojë vendimin e Supremes

Maqedonia e Veriut

Edhe Ministria e Arsimit i del në krah profesoreshës nga Tetova, Arjeta Veliut që u largua nga puna padrejtësisht para pesë vitesh. Ministri Arbër Ademi i bën thirrje drejtorisë së Shkollës Ekonomike “8 shtatori” që të respektojë vendimin e Gjykatës Supreme dhe të kthejë Arjetën në punë. Duke numëruar qëndrimet e institucioneve, Ademi qartazi pozicionohet në anën e palës së dëmtuar.

Inspektorati i Arsimit e ka thënë fjalën e vet, Avokati i Popullit e ka thënë fjalën e vet, institucionet gjyqësore e kanë thënë fjalën e vet dhe se askush nuk mund ta sfidojë ligjin, askush nuk mund të jetë mbi ligjin e askush nuk mund të jetë mbi vendimet e caktuar gjyqësore. U bëj thirrje të gjitha autoriteteve në institucionet arsimore të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore”- tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Nëse vazhdon zvarritja e procesit, Ademi thotë se Ministria e Arsimit do të intervenojë me kompetencat që ka për kthimin e Arjetës në punë.

Në qoftë se është e domosdoshme edhe ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, i bëjmë thirrje, apelojmë për intervenim të shpejtë edhe në këtë rast që të veprohet në përputhje me aktgjykimet e gjykatave dhe instancave të caktuara gjyqësore”-pohoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë në Gjykatën Supreme ende nuk është vendosur nëse rasti do të rigjykohet, siç ka kërkuar drejtoresha e ekonomikut në Tetovë, Ramie Kurtishi. Kjo e fundit përsëri nuk e ka parë të arsyeshme që të përgjigjet para pyetjeve të gazetarëve për rastin në fjalë. Profesoresha Arieta Veliu para 5 vitesh është larguar nga puna, ndërsa që atëherë të gjitha instancat gjyqësore kanë vendosur që ajo duhet të rikthehet në vendin e punës.

Për mosrespektim të verdiktit gjyqësor, ndaj drejtoreshës dhe shkollës ekonomike janë shqiptuar disa dënime, por Arjeta ende nuk është kthyer në punë. Madje edhe përkundër vendimit final të Gjykatës Supreme drejtoresha ka kërkuar që lënda të përsëritet nga e para. Vendimi i Supremes nëse lënda do të rigjykohet ose të mbetet e njëjta, pra në favor të zonjës Veliu, pritet që të mësohet javëve në vijim./alsat/