Një javë pas përjashtimit nga partia , ish drejtori i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov përmes një letre të hapur i drejtohet liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Mijallkov kërkon nga Mickoski të prezantojë dëshmi para organeve të partisë për akuzat që sipas tij janë të rrejshme, transmeton Alsat.
Duke kërkuar sinqeritet ndaj anëtarësisë dhe qytetarëve të gjithë vendit, Mijallkov i kërkoi Mickoskit përgjigje për një sërë pyetjesh:
Mijallkov pyetje drejtuar Mickoskit:
Nëse doje ta mbroje emrin, pse nuk qëndrove pas kësaj kauze me protesta masive të qeta, të përditshme?
Kur e dinim se shumica e qytetarëve ishin kundër Marrëveshjes me Greqinë, pse nuk i ftove të votonin “Kundër”?
Nëse e dije se pushteti arrestoi njerëzit me akuza politikisht të montuara për 27 prillin, që t’i kërcënonin deputetët për shumicën e 2/3-ve, pse nuk kërkove nga Presidenti, Ivanov t’i mbronte?
Pse 3 muaj të plotë pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë, ti nuk kishe asnjë qëndrim se si do të veproje në referendum?
A dëshiroje të ndërrohej emri dhe faji t’iu mbetej deputetëve e ti të dilje “I pastër” nga situata? A dëshiroje të vije në pushtet me emër të zgjidhur?
Pse Hristijan në takimet e ndërsjella flisje ndryshe për zgjidhjen e emrit, ndërsa ndryshe në opinion?
A është në rregull t’i inkurajosh disa bashkëpunëtorë t’i bindin 8 deputetë të votojnë “Pro”, por ti të mos jesh fajtor?
Derisa unë që nga 2006-ta kam fituar mjaftueshëm para për një jetë të qetë, si arrite ti si profesor me rrogë 500 euro deri te disa hidrocentrale pikërisht gjatë qeverisjes së VMRO-së?
Mijallkov e akuzoi Mickosin se është patriot i rrejshëm dhe se koha do ta dëshmojë këtë gjë. Sipas Mijallkovit, së shpejti të gjithë do të shohin nëse Mickoski do të organizojë protesta dhe padëgjueshmëri qytetare; nëse Mickoski do ta bojkotojë Kuvendin, respektivisht do ta pengojë ndryshimin e Kushtetutës me amendamente apo do të lejojë të debatohet vetëm disa ditë e pastaj të aktrojë si patriot dhe të fajësojë deputetët që nuk mbrojtën kauzën.