Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor ka konstatuar një sërë parregullsish në punën e personit me inicialet N.P nga Resnja, i cili për një periudhë të gjatë kohore ka trajtuar pacientë me kancer të lëkurës dhe probleme të tjera dermatologjike, me një ilaç të cilin ai vetë e ka përgatitur. N.P veprimtarinë e tij e ka zbatuar në hapësirat e ambulancës “Natura Medika” në fshatin Xhepçishtë të Tetovës ku çdo të diel nga ora nëntë e mëngjesit deri në orën 15:00. Për një trajtim pacientët kanë paguar nga 500 denarë, ndërkaq iu është rekomanduar që të trajtohen dy herë në ditë.
Inspektorati ka konstatuar se personi me inicialet N.P ka përdorur preparate për trajtimin e pacientëve të cilat janë me ambalazhe qelqi dhe pa deklaratë. Për punën që bën, nuk ka leje pune. Lidhur me preparatet që ai përdor gjatë trajtimit të kancerit të lëkurës dhe disa llojeve të tjera të kancerit dhe për të cilat posedon njëfarë dokumentacioni, personi është dërguar deri te Agjencia e Ilaçeve për verifikim. Lidhur me gjendjen e konstatuar faktike Inspektorati ka dhënë ndalesë për kryerjen e veprimtarisë së konstatuar të personit N.P si dhe ndalesë për të vepruar në ambulancën “Natura Medika” në Xhepçishtë, ka konstatuar Inspektorati Sanitar Shëndetësor.
Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike thotë se një numër i konsiderueshëm i pacientëve të cilët janë trajtuar nga kjo metodë kanë shkuar në Klinikën të cilën ajo e drejton me dëmtime të rënda dhe komplikime shëndetësore.
“Atë që e konstatoi Inspektorati Sanitar Shëndetësor e konfirmojmë edhe ne. Jo vetëm nga Tetova, por periudhën e fundit kemi pacientë të cilët trajtohet edhe në Resnjë, si dhe në disa pjesë të Maqedonisë Lindore. Herën e fundit që kishim pacientë ishte këtë të hënë që kaloi. Pacienti erdhi tek Klinika jonë për shkak të gjakderdhjes në lëkurë. Vetë ai tregoi se ka qenë i trajtuar në një ambulantë në rrethinën e Tetovës nga një person që nuk i takon fushës së mjekësisë dhe vetë ky pacient bëri lidhshmërinë e gjendjes së tij me trajtimin. Ne e operuam pacientin të hënën, ia hoqëm atë, por jo vetëm lëkura e tij, të dëmtuara janë edhe indet nën lëkurë sepse ajo është fibrozë që ndikon thellë nën lëkurë. Pacienti është operuar dhe është në gjendje të mirë”, deklaroi Sofia Pejkova, Drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike.
Nga Kirurgjia Plastike thonë se pas analizave që iu janë bërë pacientëve është vërtetuar se ata kanë djegie kimike në lëkurë, dhe se një gjë e tillë ka vështirësuar në masë të madhe procesin e shërimit.
“Ne kemi pacientë ku me të vërtetë e shohim se ka ndryshime në lëkurë që lidhen me kancerin si dhe që përzihet me një lloj të djegies kimike, me shumë gjasë nga trajtimi i personave që nuk i takojnë fushës së mjekësisë, të cilët nuk lejojnë mbikëqyrje reale. 4:20 Për këtë qëllim tek këta pacientë në vend që të kemi operim në ndryshimin në një akt, e gjithë gjendja komplikohet, shtyhet”, pohoi Sofia Pejkova.
Përmes telefonit televizioni ALSAT kontaktoi pronarin e ambulancës në fshatin Xhepçisht të Tetovës për të kërkuar sqarim, megjithatë ai nuk pranoi të japë detaje duke thënë se nuk është i detyruar të japë informata. Ndërkohë Agjencia e ilaçeve ditëve në vijim duhet të bëjë shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit që personi nga Resnja ka poseduar për një pjesë të preparateve, nëse të njëjtat janë të vlefshme. /alsat-m/