Dr.sc.Hamdi Mediu-dushi
Në fushëgropën e Pollogut qysh në kohërat e lashta ekzistonin lokalitete të shumta, gjurmët e të cilëve ende ekzistojnë në formë rrënojash, por deri diku edhe të ruajtura. Kushtet e mira klimatike, hidrografike, ekonomike, strategjike etj. kontribuan që në këtë fushëgropë për një kohë të gjatë të krijohen vlera të pasura kulturore-historike, arkitekturale, urbane, rurale e të tjera, të cilat flasin për kulturën e pasur materiale dhe shpirtërore të kësaj treve.
Qyteti i Tetovës gjendet rrëzë malit Sharr dhe bregores piktoreske të Balltepesë, pranë brigjeve të lumit Shkumbin, me një sipërfaqe prej 1.080 km, dhe me 92 vendbanime. Shumë historianë të sotëm që merren me studimin e historisë antike, Tetovën e lokalizojnë si qytet të lashtë ilir me emrin latin OAENEUMIT. Në periudhën e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme, si shumë qytete të tjera, edhe Tetova u dëmtua rëndë. Megjithatë në shekullin XI ajo dallohet midis vendbanimeve të tjera.
Në shekullin XIII-XIV Tetova përmendet si një nga vendbanimet e luginës së Pollogut. Duke u shtrirë në pjesën qendrore të Fushëgropës së Pollogut, Tetova ka pasur historikisht rëndësi të madhe ekonomike e strategjike, dhe për këtë arsye shumë sundimtarë në të kaluarën e largët dhe të afërt, tentuan të zotërojnë me këtë regjion strategjik. Aty janë edhe lidhjet e përshtatshme me regjionet fqinjë, si me grykën e Dervenit dhe regjionin kodrinor të Grupçinit, që shtrihet në juglindore, nëpërmjet të të cilit Pollogu komunikon me fushën e Shkupit e më gjerë. Në jugperëndim, përmes qytetit të Gostivarit dhe disa qafave malore lidhet me Kërçovën dhe qytetin e Dibrës, dhe së fundi përmes rrugës regjionale Tetovë-Ferizaj që shtrihet në rrafshinë, ndërkaq vetëm një pjesë e vogël, kryesisht pjesa e vjetër e qytetit është e vendosur rrëzë Balltepesë. Lartësia absolute mbidetare e qytetit është midis 450-500 metra mbi nivelin e detit.
Gjatë mesjetës duke i konsideruar rrugët dhe urat si objekte me rëndësi ekonomike dhe strategjike për lëvizjen e trupave të pushtuesit dhe të popullatës vendase, shpesh ata ruheshin me ndërtime mbrojtëse.Shpesh herë urat janë konsideruar jo vetëm si vepra të nevojshme për kalimin e lumejve por edhe si krijime ku artisti popullor mund të shprehte aftësitë e tij si gdhendës i basoreliefeve në gur. Zakonisht gdhendjet e këtyre reliefeve bëheshin në gurët ballorë të qemerëve. Duhet theksuar se megjithë prapambetjen që shkaktoj pushtimi Osman në trevat e pushtuara, populli ynë me traditat shekullore në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe urave, populli ynë diti të ruaj arterjet rrugore dhe të ndërtoj ura druri ose guri mbi lumenj të ndryshëm në tërrë tokat shqiptare.
Pas pushtimit të këtyre trojeve, filloi ndërtimi dhe zhvillimi i qyteteve me ndikim oriental, si dhe gjetkë në trojet shqiptare. Nëpërmjet ndërtimtarisë dhe kulturës, ekonomisë e politikës, osmanët ndryshojnë jetën e përditshme, e cila reflektohet në kulturën shpirtërore të popullatës vendase. Fillon ndërtimi e objekteve të ndryshme të karakterit sakral, ekonomik dhe shoqëror, si bie fjala, Xhamive, Teqeve, Hamameve, Karavansarajeve, Urave dhe shumë objekteve tjera. Duke ruajtur të njajtën ide arkitekturale që lidhej me destinacionin e këtyre ndërtimeve, shpeshherë vërehen ndryshime në trajtimin dekorativ të fasadave, në futjen me vështërsi të disa elementeve ndërtimore e zbukuruese etj. Me kalimin e kohës, këto dallime thellohen duke u shtrirë, deri diku, edhe në formulimin e shtrirjes planimetrike. Ato harmonizohen gjithnjë e më tepër me arkitekturën popullore dhe asambletë e qyteteve tona mesjetare.
Elementet e arkitekturës popullore fillojnë të futen në objektet e kultit edhe në gdhendjen e elementeve prej druri të enterierve etj. Duhet theksuar se pushtuesit osmanli ndërtuan edhe shumë objekte fetare dhe objekte të tjera që drejtonin jetën urbane në hapësirat shqiptare. Nëpërmjet këtij ndërtimi të stilit oriental, qytetet gjithnjë e më shumë e merrnin pamjen e Orientit, dhe si të tilla u shndërruan në qendra të përhapjes së civilizimit islam. Ndonëse administrata osmane nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë që të bënte investime serioze në fushën e ndërtimit të infrastrukturës rrugore në trojet shqiptare, megjithatë, për nevoja ushtarake dhe strategjike, u ndërtuan rrugë dhe ura, një pjesë e të cilave i ka mbijetuar kohës dhe dëshmon vlera autentike jo vetëm arkitekturore por edhe kulturore-historike.
Me këtë rast duhet të theksojmë se osmanët nuk patën nevojë të t’i sjellin nga Stambolli as arkitektët e as mjeshtrit për ndërtimin e rrugëve dhe të urave, sepse shqiptarët tradicionalisht njiheshin si mjeshtër të zotë. Madje si arkitektë më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekujt XVI e XVII ishin shqiptarët, mimar Sinani dhe mimar Kasemi. Ndërkaq edhe gjatë shekujve XVII-XIX në trojet shqiptare, një numër i madh veprash arti nëpër rrugët, përfshirë këtu edhe urat, u ndërtuan nga pashallarë shqiptarë dhe me mjeshtër të vendit. Prandaj, do të ishte gabim, në qoftë se urat e ndërtuara gjatë shekujve XV-XIX do t’i vlerësonin si ura turke, sepse, siç shprehen studiues të shumtë të këtyre çështjeve, gjatë ndërtimit të këtyre urave, projektet gjendeshin në kokat e ustallarëve shqiptarë. Ishin të dalluar sidomos mjeshtrit dibranë. Ata ishin të aftë t’i realizonin edhe projektet më të ndërlikuara evropiane.
Mjeshtrit dibranë punonin kryesisht nëpër qytete, duke ndërtuar shtëpi, çezme, ura, hamame, xhami etj. Punonin edhe me material druri edhe me material guri. Përgjithësisht, ndërtimet e kësaj periudhe kohore, të ruajtura deri në ditët tona, janë njëkohësisht dëshmi e vlerave jo vetëm arkitektonike, por edhe kulturore dhe historike. Ato në fakt, janë dokumente të gjalla që faktojnë për njohuritë tradicionale dhe për shpirtin krijues praktik të mjeshtërve shqiptarë të ndërtimit, të cilët me materialet rrethanore dhe mjaftë të organizuar kanë krijuar kurdoherë vepra tekniko-artistike të goditura, që i kanë rezistuar shekujve dhe e kanë justifikuar më së miri ekzistencën e tyre.