Sot ka ndodhur një përleshje ndërmjet kryetarit të Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq dhe dy anëtarëve të Listës Serbe.
Këtë ngjarje e ka komentuar edhe Nenad Rashiq, ish-deputet dhe kryetari i Partisë Demokratike Progresive.
“Dëgjova në mëngjes që ka ndodhur diçka, madje fillimisht mora vesh se janë gjuajtur me armë dhe nuk mund të besoj se diçka e tillë mund të ndodhë në mes të Prishtinës. Pastaj e kuptova se ka qenë një incident”, ka thënë Rashiq nëpërmjet telefonit në Klan Kosova.
“Ky incident erdhi si pasojë e një ndarjeje ekstreme të serbëve në Kosovë: ata që janë në favor të regjimit të Beogradit dhe të tjerëve që po mundohen të krijojnë një skenë politike autoktone kosovare”.
“Në këtë rast, këtë ndarje ekstreme e ka krijuar vet politika e Partisë Liberale Serbe (SLS)”.
“Tashmë anëtarët e Listës Serbe e kanë bërë traditë për çkado që ndodh ata e akuzojnë dikë tjetër. Por, unë pres që gjatë ditëve në vazhdim institucionet relevante të dalin më një konkludim konkret për rastin”.
Për gjendjen e krijuar tek serbët, Rashiq nuk e fajëson vetëm Beogradin.
“Nuk janë fajtore vetëm institucionet e Beogradit, por edhe pushteti në Kosovë që e ka mundësuar një politikë ekstreme nacionale – jo vetëm në nivelet lokale, por edhe në institucionet qendrore”.