Diçka e shkëlqyeshme sapo ka ndodhur në Ballkan. Qeveritë në Athinë dhe Shkup i kanë përfunduar të gjitha obligimet e ndërmarra për ndryshim të emrit të IRJM-së në Republika e Maqedonisë së Veriut, çështje që i ka ngarkuar të dy vendet me dekada, shkruan analitiku amerikan, Xhejms Perdju, i cili ishte një ndër ndërmjetësuesit për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe ish zëvendës sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Në analizën për gazetën dhe portalin prestigjioz amerikan “Hill” (The Hill), ai theksoi se “Parlamenti grek në Athinë më 25 janar e ka përfunduar hapin e fundit nga Marrëveshja e Prespës, e cila i vendosi masat e domosdoshme, të përqëndruara në ndryshimin emrit, për largimin e bllokadës greke për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE”.
“Por, marrëveshja e suksesshme nuk është pjesa më entuziasmuese e këtij ralizimi. Më në fund, shefat e qeverive të dy vendeve ballkanike, kryeministri i Greqisë, 44-vjeçari Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, i moshës së njëjtë, kanë punuar në interesin më të mirë afatgjatë për kombet e tyre, në vend se t’u nënshtrohen nacionlaistëve etnikë, të cilët shkaktuan aq shumë vuajtje dhe e kanë penguar përparimin e Ballkanit me vite të plota”, thotë Perdju.
Ai nënvizon se Cipras dhe Zaev e kanë kryer këtë detyrë të vështirë pa ndërmjetësimin e zakonshëm ndërkombëtar, i cili ishte i nevojshëm në konfliktet në Ballkan. Vendimi i tyre që t’i tejkalojnë kundërshtimet ekstreme, ndonjëherë edhe të dhunshme të kësaj marrëveshjeje, shtoi ai, është akt i lidershipit të guximshëm që krijon shpresë se edhe politikanë tjerë të rinjë dhe përparimtarë në Ballkan do ta kenë guximin e njëjtë.
Sipas tij, rëndësia e kësaj marrëveshje të re për Shkupin është e dukshme, por edhe Athina po ashtu ka dobi nga ajo, pasi tani ka fqinj stabil, anëtar të familjes evropiane dhe evroatlantike, janë rritur mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë, ndërsa Greqia mund të fitojë merita të konsiderueshme në BE si vend që ndihmon për stabilizimin dhe integrimin e rajonit në Evropë.
“Lidershipi i jashtëzakonshëm kombëtar, të cilin e treguan Ciprasi dhe Zaevi është tejet i rallë në Ballkan dhe ata duhet ta marrin tërë meritën për guximin e shfaqur. Këta liderë të rinj, progresivë sollën vendime të vështira, por historike për përparimin e vendeve të tyre. Tërë shpresa është se edhe liderët e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës do të kuptojë se çka do të thotë lidership përparimtar, i guximshëm. Nëse liderët në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë e shfrytëzojnë potencialin që e treguan Greqia dhe Maqedonia e Veriut, edhe ata mund të fillojnë ta çrrënjosin urrejtjen etnike dhe të ndihmojnë të konsolidohen demokracitë në vendet e tyre që të sigurohet ardhmëri stabile në Ballkan”, porositi Xhejms Perdju në analizën për “Hill”.