Vuçiq sulmon NATO-n: Zyrtarët e NATO-s po gënjejnë, ROSU nuk ka leje për veri

Bota

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka komentuar serish deklarimet e NATO-s se njësiti ROSU i Policisë së Kosovës mund të veprojë në veri të Kosovës, duke thënë se përfaqësuesit e NATO-s po gënjejnë.

“Po gënjejnë [NATO] dhe kjo nuk është hera e parë. Vetë kam kontaktuar për këtë çështje dhe e di çfarë jemi dakorduar. Ne atëherë kemi biseduar për ROSU dhe para së gjithash e kemi bërë këtë që të definojmë kushtet: kjo ishte se tytat e gjata [armatimi i ROSU] nuk mund të përdoren në veri pa pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të komunave serbe”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare dhe NATO tani po “bëhen të shurdhër ndaj Rezolutës 1244″.

Siç raportojnë mediat serbe, presidenti serb sërish i ka dalë në mbrojtjeje nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili nga prokuroria speciale e Kosovës po hetohet si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.

Vuçiq ka thënë se prokuroria tashmë nuk ka pse ta hetojë Radojiçqin, sepse, sipas tij, “atë paraprakisht e kanë gjykuar Prishtina, mediat dhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq”, përcjell Telegrafi.

“Pse duhet ta hetojnë tani? Mediat mua tashmë më kanë bindur se ai është fajtor? Kanë gënjyer për të gjitha, si gjithmonë. A mendoni se unë jam i çmendur dhe i marrë të dalë e të them se janë rezultatet e hetimit të Serbisë, a guxoj të gënjej? Këto janë lojërat e tyre, në të cilat është e rëndësishme që të gjitha të hedhen mbi Serbinë, dhe të ndërmerren të gjitha masat më të rënda ndaj serbëve “, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se Serbia është e gatshme të arrestojë çdo serb me prova se ai ishte i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

Presidenti ka komentuar edhe spekulimet se Qeveria e Kosovës po shqyrton mundësinë e aplikimit të masave të tjera ndëshkuese ndaj Serbisë, siç është edhe ndalimi i qarkullimit monetar në komunat me shumicë serbe, duke thënë se me këto veprime po e sjellin Serbinë deri në atë pikë që do të duhet të ndërmarr diçka dhe të përgatitet për skenarët më të vështirë.

Ai gjithashtu ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të NATO-s, të cilët kanë thënë se njësiti ROSU i Policisë së Kosovës mund të veprojë në veri të Kosovës. /Telegrafi/