Rukiqi, po ashtu bën të ditur se bizneset prodhuese, por edhe tregtare në Kosovë, kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve apo lëndës së parë në shtetet tjera.
Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur të mbajë në fuqi taksën prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të hequr tarifat.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se i respektojnë vlerësimet e miqve ndërkombëtarë, por që vendimi për taksën nuk mund të largohet në këto rrethana që po dominojnë.
“Ne kur e kemi vendosur taksën kemi pasur parasysh që do të kemi vërejtje dhe sugjerim nga miqtë tanë ndërkombëtarë, por ne mendojmë që tani për tani jemi të vendosur që taksa të mbetet në fuqi derisa të mos ndërrojnë sjelljet e palës tjetër, në këtë rast të Serbisë. Këto janë vendime që i kemi bërë për të mbrojtur vendin tonë nga veprimet e dëmshme që ka bërë Serbia karshi shtetit tonë”, thotë Shatri.
Qeveria e Kosovës më 21 nëntor vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.
Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim e dialogut ndërmjet dy shteteve.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA-s, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2007.
Edhe pas kërkesës nga mekanizmat ndërkombëtarë për heqjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, shumica e bizneseve në Kosovë, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, janë deklaruar për të mbajtur taksën në fuqi.
“Janë tre kategori të bizneseve: bizneset që importojnë, bizneset që prodhojnë dhe një pjesë e bizneseve që importojnë edhe prodhojnë. Në këto tri kategori ka çështje të caktuara që lidhen me taksën të cilat duhet të adresohen në mënyrë që zbatimi të jetë më i lehtë, por në përgjithësi disponimi është pozitiv, ka solidaritet më këtë vendim ka një përkrahje popullore çka nënkupton se bizneset, pjesa më e madhe e bizneseve e përkrah këtë taksë, por ajo që mbetet me rëndësi për bizneset është parashikushmëria se deri kur mund të zgjat taksa”, thekson Rukiqi.
Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se taksa ka një objektiv të caktuar dhe se Serbia duhet të reflektojë.
“Kemi një varg marrëveshjesh që lidhen me qarkullimin e lirë të mallrave, por edhe një marrëveshje që lidhet me shërbimet në këtë rast është çështja e energjisë elektrike të cilat besoj që Serbia duhet t’i respektojë dhe të tregojë që po i respektin dhe nuk po i saboton për të arritur efektin për çka ka vendosur masa, ndërsa sa i përket aspektit politik nuk dua t’i komentojë”, thekson ai.
Rukiqi, po ashtu bën të ditur se bizneset prodhuese, por edhe tregtare në Kosovë, kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve apo lëndës së parë në shtetet tjera.
“Unë kam qenë në Turqi dhe sot do t’ja përcjelli një listë kryetarit të Odës Ekonomike në Turqi për disa mallra- lëndë të parë që nuk prodhohet në Kosovë, në mënyrë që të bëhen furnizimet më të shpejta që mos të ketë mungesa në treg. Edhe bizneset tregtare tani më kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësim të produkteve”, thotë Rukiqi.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e takës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara, janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji. /REL