Haki Abazi me kritika për Isa Mustafën e Hashim Thaçi: Ja halli i tyre

Kosova dhe Shqipëria

Zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar ashpër presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

Abazi, këto deklarata i bëri pasi mbrëmë Qeveria e Kosovës mori vendime të reja për ndaljen e lëvizjes së lirë së qytetarëve për shkak të koronavirusit që tashmë është shpërndarë me të madhe në Kosovë.

Zëvendëskryeministri thotë se Kancelarja gjermane ka përshëndetur dhe përkrahur vendimet e Qeverisë Kurti.

Sipas tij, kundër vendimit të fundit të Qeverisë, ishin kundër vetëm Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Ai shton se, këta të dy, nuk e kanë hallin te tarifa, por se si të ndikojnë në ndalimin e punës së Qeverisë Kurti.

“Presidenti Thaçi kreu vepër penale mbrëmë dhe kjo nuk është hera e parë. Ai thirri policinë që të mos e respektojë vendimet e qeverisë. Bazuar në cilin ligj apo kushtetutë ka të drejtë, çfarë në fakt do!?”, shkruan Abazi.

Shkrimi i plotë:

Mirëmëngjesi!

Të jemi të qartë, mbrëmë Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendime për të rritur disiplinën, për të mos rrezikuar qytetarët dhe për të zvogëluar në minimum mundësinë e infektimit dhe shpërndarjes së virusit Covid-19.

Ky është preokupimi kryesor i Qeverisë Kurti. Gjithaq, Kancelarja Gjermane ka përshendetur dhe ka përkrahur vendimet e Qeverisë dhe ka biseduar direkt me kryeministrin Kurti.

Vetëm dy persona dolën kundër në të njëjtën kohë: Thaçi dhe Mustafa.

Nuk e patën hallin te tarifa, por sesi të ndikojnë për ta ndalur e penguar punën e Qeverisë Kurti.

Presidenti Thaçi kreu vepër penale mbrëmë dhe kjo nuk është hera e parë. Ai thirri policinë që të mos e respektojë vendimet e qeverisë. Bazuar në cilin ligj apo kushtetutë ka të drejtë, çfarë në fakt do!?

Nuk është kohë për të menduar sa tendera do t’i kishin marrë e sa para të buxhetit do t’ju ishin falë e dhënë dhëndurëve, kushërinjve e dajallarëve. Është koha që të mendohemi, mundohemi e të punojmë bashkë për të mbrojtur e garantuar jetën e çdo qytetari.

Të gjithë qytetarët e kanë mirëkuptuar secilën masë që kemi marrë deri tani. Kjo gjendje nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit në këtë formë. Gjatë ditës bashkë do të sqarojmë pyetjet që keni.

Bashkë e me emër të Zotit, si dhe duke përkrahur njëri-tjetrin do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë.