RRITEN BLERJET NË INTERNET: Rreth 170 milionë euro harxhime online

Maqedonia e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë në vitin e kaluar kanë harxhuar afër 170 milionë euro në blerjet përmes internetit. Këto shifra paraqesin një rritje prej 35.5 milionë euro në raport me vitin 2018, tregojnë analizat e Shoqatës për tregti elektronike të Maqedonisë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 prill – Qytetarët e Maqedonisë në vitin e kaluar kanë harxhuar afër 170 milionë euro në blerjet përmes internetit. Këto shifra paraqesin një rritje prej 35.5 milionë euro në raport me vitin 2018, tregojnë analizat e Shoqatës për tregti elektronike të Maqedonisë. Nga atje shtojnë se me ambientin e rënduar për punë të biznesit të shkaktuar nga koronavirusi, përkufizimet e lëvizjeve, mbylljes së një pjese të dyqaneve, në javët e kaluara po shënon rritje interesimi i qytetarëve për të blerë onlajn, shkruan gazeta KOHA. “Në kohët e fundit dukshëm është rritur si kërkesa për regjistrimin e pagesave përmes internetit nga ana e tregtarëve, ashtu edhe numri i porosive në mënyrë elektronike nga ana e blerësve. Ne i inkurajojmë qytetarët të blejnë pa dalë nga shtëpia gjithnjë duke pasur kujdes edhe nga blihet “, thonë nga kjo shoqatë. Një blerje e tillë gjithashtu po mbron popullatën dhe ul rrezikun e përhapjes së pandemisë shtojnë më tej nga Shoqata e Tregtisë Elektronike.

Për të rritur besimin dhe për të tërhequr edhe më shumë konsumatorë në të ardhmen, shoqata rekomandon që në kohën kur shitoret janë të mbyllura ku kthimi dhe zëvendësimi i mallit janë sfidat që mund të ngadalësojnë shitjen, që bizneset të vazhdojnë politikën e kthimit dhe zëvendësimit të prodhimeve që do të ulë dyshimin e blerësit dhe do të nxisë shitjet përmes internetit. Rekomandohet edhe mbështetje më e madhe për kartelat gift apo të dhuratave, që në shumicën e rasteve japin siguri se klientët në të ardhmen sërish do të kthehen tek tregtarët, ndërsa për tregtarët e vegjël që kanë profit të ulët kjo paraqet mundësi që të mbijetojnë përderisa po zgjat kriza ekonomike dhe shëndetësore.

Analizat më tej tregojnë se në vitin e kaluar po përmirësohet dhe barazohet edhe shitblerjet në favor të shitoreve vendore karshi shitoreve nga jashtë shtetit, si rrjedhojë e ofertës më të madhe të shërbimeve dhe prodhimeve që ofrohen nga ana e kompanive vendore. “Në vitin 2019, vlera e transaksioneve onlajn të realizuara më kartela pagesore të lëshuara në Maqedonia që janë derdhur jashtë shtetit apo i kanë realizuar tregtarët nga jashtë vendit ka qenë 50.2 për qind, përderisa 49.8 për qind e transaksioneve janë realizuara ndaj tregtarëve onlajn në Maqedoni”, tregojnë analizat. Me fjalë të tjera, thonë nga Shoqata e tregtisë elektronike, mund të konstatohet se oferta në rritje në tregun vendor po arrin të kënaqë nevojat e blerësit vendor onlajn dhe mundëson që këto të holla në vend të derdhen jashtë shtetit, të mbesin tek kompanitë vendore që shesin onlajn.

Njëherësh të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se në vitin 2019, janë realizuar 6.727.051 transaksione onlajn në vend dhe jashtë , në raport me 5.435.385 onlajn transaksione të realizuara në vitin 2018 që paraqet një rritje prej 23.8 për qind. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se deri më 31 dhjetor të vitit të kaluara janë aktive 1020 vende virtuale për shitje elektronike. Apo me fjalë të tjera bëhet fjalë për pikat të shitjes virtuale aktive që janë paraqitur nga ana e pesë bankave që për momentin ofrojnë tregtinë elektronike si pjesë e pakos së shërbimeve të tyre. Gjithashtu vetëm përgjatë vitit 2019, është rritur numri i shitoreve të reja onlajn për 149 pika të reja të shitblerjes. Konsumatorët vendorë përmes internetit preferojnë ndër të tjerash të blejnë veshmbathje dhe pajisje sportive, prodhime për amvisëri, dhe pajisje elektronike .

Gara midis shitjeve dhe shitjeve onlajn është një garë që po thellohet dita ditës. Statistikat mbarë globale po tregojnë sesi këto lloj shitjesh po revoluçionarizojnë tregun, shkurtojnë kohën dhe ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme. Ndërkohe tregu dhe shitjet lokale po i nënshtrohen internetit në një mënyrë progresive. Mesatarja e të anketuarve në Bashkimin Evropian që kanë deklaruar se kanë kryer blerje onlajn është 67 për qind . Vendet e Bashkimit Evropian me përqindjen më të lartë të blerjeve onlajn janë Suedia me 85 për qind , Mbretëria e Bashkuar me 84 për qind , Danimarka dhe Holanda me 83 për qind, Finlanda me 76 për qind Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian që shënuan përqindjen më të ulët të të anketuarve që deklaruan se kanë kryer blerje onlajn janë Kroacia me 33 për qind, Rumania dhe Portugalia me 36 për qind dhe Greqia me 37 për qind. (koha.mk)