Seksi dhe Ibrahim Rugova! (Dy tema tabu në Kosovë)

Opinione

Për seks, në rregull, jemi marrë vesh historikisht se është temë tabu.
Askush nuk ka kë ta pyes: si t’ia bëj në këtë rast, e si në këtë tjetrin, sepse askush prej shqiptarëve asgjë nuk ‘di’ për seksin.
(Temë tjetër tabu është edhe kur je i ‘zhdjergët’ e s’e mban dot shurr*n, por për këtë temë tabu, që kemi ymer, flasim një herë tjetër).
Pas seksit, te shqiptarët është temë tabu, Ibrahim Rugova. Ai s’bën të kritikohet.
Nëse do të jesh ‘dikushi’ dhe të mbijetosh në
politikë, duhet, për adet, si hapi i parë në jetë, ta vizitosh varrin e Ibrahim Rugovës.
Se, nëse nuk e nderon varrin e tij, për LDK-në kjo do të thotë ‘ti s’ke të ardhme politike’
E ardhmja politike në Kosovë, nis nga varri i Rugovës.
S’di a lejohet të bësh kritikë mbi ‘veprën’ e tij, por e di se për të qenë politikan nuk je i obliguar ta lexosh ‘kompletin’ e librave të tij (se është edhe humbje kohe), por je i obliguar ta duash (‘pretending’ se e do varrin e tij’!
Për Jezu Krishtin ka shkruar Denis Diderot (që e kam lexuar vet), dhe ka shkruar zi e terr.
Diderot ishte i bindur se Krishti nuk ka ekzistuar, se thoshte nuk ka dëshmitar që ka ekzistuar.
Janë shkruar libra kundër Profetit, janë xhiruar filma, çdo ditë dikush ‘tallet’ me Jezu Krishtin, sepse nuk është temë tabu.
Ibrahim Rugova, i cili për së gjalli ishte me fotografinë e Papa Gjon Palit II,
e për së vdekuri me krye kah Qabja,
nuk bën t’i nënshtrohet valorizimit, nuk bën të kritikohet, duhet të pranohet verbërisht si ‘arkitekt’ i pavarësisë.
Na lejoni së paku të mos e pranojmë si ‘ndërtimtar i pavarësisë’, sepse pavarësinë e Kosovës ndërtuan ‘të tjerët’, jashtë planit ‘urbanistik’ të LDK-së.
Ibrahim Rugova nuk e ka konsideruar veten ‘shenjtor’, por LDK e ‘shpalli shenjtor’, bashkë me të ‘metat’ dhe me gabimet e tij, për ta përdorur për së vdekuri.
Këtë fore i pari e hëngri Hashim
Thaçi, i cili kujtonte se nëse gjunjëzohesh te varri i Rugovës, del prej krize.
Koha dëshmoi se varri nuk ta bën çaren!
Po, varri, nëse e viziton të bën për disa orë njeri më të mirë, sepse ta rikujton se ‘çdo gjë merr fund’, sidomos lumturia, prandaj nuk ia vlen të jesh njeri i keq, të tubosh pasurine e të jesh grabitqar në një dynja që soset!
Këtë shkrim po e shkruaj e motivuar nga nana e Fehmi Lladrovcit, të cilën, para disa vitesh e kam parë në një foto, e thyer në shpirt, duke e puthur gurin e varrit të birit të saj.
Naser Rugova i LDK-së u nervozua shumë pse Berati e Leonardi ia lejuan Ramiz Lladrovcit të shprehet i lirë kur bëhet fjalë për mitin e Ibrahim Rugovës!
Qysh guxon Ramiz Lladrovci me përmend Ibrahim Rugovën?!
Ibrahim Rugova nuk ka qenë Pejgamber!
Pse duhet të bëhemi budallenj, kur s’jemi.
Fehmi Lladrovci paska pasur të drejtë të vdes për Liri, por jo edhe ta kritikoj Ibrahim Rugovën!
Pse është më e natyrshme ‘të vdesësh’, sesa ta kritikosh Ibrahim Rugovën!
Ibrahim Rugova ishte i mirë, por jo mjaftueshëm sa të ishte ‘i shenjtë’ dhe i kishte disa mëkate (të pavullnetshme
mbase dhe të pashmangshme), mjaftueshëm sa të thuhet se ai funksiononte mirë veç si ‘rob’ që lyp Lirinë si miellin me tepsi, por jo si luftëtar që e jep gjakun për Liri.
Pra, ai ishte lypësar i Lirisë, kurse UÇK luftonte dhe vdiste për Liri.
Unë jam e bindur se edhe ushtari më i thjesht që e ka marrë në dorë pushkën kundër armikut është më ‘dikushi’ se secili orator dhe poet i vuajtjeve shqiptare, që i ka bë kryq dy rima për Kosovën dhe e ka bë namin.
Po çuditem pse kjo nuk është e qartë.
Këtë që po e them, po e dëshmon koha.
Po shihet qartë, trashëgimia e secilit, edhe e Ibrahim Rugovës!
Kjo që shohim sot, këta njerëz janë dhe ishin LDK.
Parti tagrambledhëse, që ka ekzistuar duke mbledhur tatime të popullit të robëruar shqiptar, që detyrohej të paguante taksa të dyfishta, për shtetin e Serbisë pushtuese dhe për ‘shtetin’ e LDK-së.
Veç neve na ka ndodhur që populli të luftojnë, e komandanti i popullit të mbyllet në shtëpi, të mos i prijë luftës, e cila në fillim iu duk si:
‘dorë e zgjatur e Serbisë’,
pastaj iu duk sikur ‘UÇK nuk ekziston’,
dhe se si ishte ‘një grup i frustruar’,
dhe kështu iu desht pak kohë derisa u bind se UÇK ekziston….
Për LDK, në fillim, UÇK ishte e padukshme si Zoti!
Nuk është tabu, por është e vërtetë, se:
1. Ibrahim Rugova (LDK) i shpalli zgjedhjet e lira në kohë lufte (1998) pas masakrave në Likoshan, Qirez, Prekaz etj.
Derisa Drenica digjej, LDK merrej me demokratizimin e vëndit;
2. Që deri në vitin 2000, LDK ishte e regjistruar në Beograd;
3. Që në programin e parë të Lidhjes Demokratike (1989), Kosova angazhohej për një Jugosllavi demokratike, federative dhe socialise!
4. Që gjatë sulmeve të NATO-s, Ibrahim Rugova u takua me kryetarin e Serbisë Millan Millutinoviq, me të cilin arriti një marrëveshje dhe bashkë me të gjatë luftës, në mesin e bombardimeve, kërkoi publikisht ndërprerjen e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë
(s’ke pse më beson mua, videon e ke në you tube, shikoje-dëgjoje vet);
5. Është e vërtetë se gjatë bombardimeve të NATO-s, Ibrahim Rugova u largua nga Kosova në Beograd (bashkë me familjen), dhe nuk u trajtua barabartë si populli i tij që po masakrohej e po shfarosej!
(S’ke pse më beson mua, lexoji kronikat e gazetave të botës dhe bindu);
6. LDK e kishte ‘Sigurimin e atdheut’, ndoshta e ka edhe sot, sepse kurrë nuk u ditë se çfarë ndodhi me të, dhe ku mbeten ‘letrat dhe paret’!
7. Kur mbas luftës u kthye nga Italia, Rugova e mori pushtetin në vendin e çliruar nga UÇK dhe NATO (nga e cila kërkoi ndërprerjen e bombardimeve kundër Serbisë) dhe vazhdoi aty ku e la para luftës;
8. A është a s’është LDK e para që e ka denoncuar UÇK-në për krime dhe ka bërë dosje kundër ‘saj’, po shihet;
9. LDK asnjëherë nuk ka bërë me gisht kah Serbia, si vrasëse e mundshme e njerëzve të saj!
Isa Mustafa sot ka kërkuar nga Gjykata Speciale hetimin e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së (dhe shumë mirë ka bërë),
por kjo kërkesë e njohur elektorale e LDK-së, kësaj here është vjetëruar dhe nuk pi ujë më, sepse atyre të cilëve ua drejton gishtin, tashmë janë në burgun e Hagës.
Autorja ka luftuar si gjeraqinë për të mos e larguar fotografinë e Rugovës nga zyra nr.15 e Ministrisë së Kulturës (Memli Krasniqi nuk ma ka prishë, fotografia edhe sot është aty), sese Rugovën e kam respektuar dhe e respektoj si një personalitet që ka punuar aq sa ka mundur dhe sa ka ditur,
por Lirisë sonë nuk ia ka vë kapakun.
Shikojeni fotografinë e nanës së Fehmi Lladrovcit duke e puthur gurin e varrit të djalit të saj, dhe pyetni:
Pse ajo nanë nuk ka pasur shofer?
(Veç pse është e katundit, a çka?)
pse nuk ka pasur pension nga shteti?
pse nuk ka gëzuar respekt e salltanet?
pse nuk u trajtua si mbretëreshë, kur ishte mbretëreshë e dashurisë dhe e flijimit për atdheun.
Ajo e ka dhënë për Kosovë të birin e saj, i cili nuk ka vdekur duke ladruar e duke filozofuar, por ka vdekur duke luftuar për Liri.
Pse pra nana e Fehmi Lladrovci nuk trajtohej njësoj si gruaja e Rugovës, të cilës me gjithë respektin, nuk ia mbajmë në mend një thënie të vetme për asgjë mbi këtë tokë!
Është sistem i deformuar ky, ku vlerat janë ‘arnuar’ me ‘t’njofshëm’, dhe ku fjalët e Rugovës vlerësohen më shumë se gjaku i Heroit!
Për shembull, shteti u jep
pensione të mëdha disa këngëtarëve pensionistë (që i çojnë në raki), që gjatë pushtimit janë gërvallur kafehaneve serbisht, kurse shkrimtarë disidentë dhe të burgosurit politikë kanë vdekur dhe janë duke vdekur urie.
Prandaj, jemi të dështuar.
Mos i çmoni fjalët e mia më shumë se sa veprat. Sepse, çdo grua që sot e ka mjelë lopën, që e ka ndez stufën, që ka gatuar bukë, që e ka fshirë oborrin dhe që e ka rehatuar familjen, vlen më shumë sesa fjalët e mia.
P.S. Ju premtoj se ditëve në vazhdim do të jem shumë agresive:
e paparë,
e pakapshme,
e paparashikueshme,
e pangushëlluar,
e pakompromis,
…ama e parezistueshme.