Sot votohet ligji i ri i Anti-korrupsionit

Maqedonia e Veriut

Përbërja e re e Komisionit Antikorrupsion do të ketë proces të vështirë për kthimin e besimit të qytetarëve në këtë institucion. Ekspertët që i kontaktoi Alsat-i shprehen se përveç asaj që në Komision duhet të hyjnë profesionistë që nuk kanë pasur kontakt me politikën, nevojitet që t’i njohin mirë Institucionet publike dhe shtetërore që janë më të nënshtruara ndaj korrupsionit. Pa shumë prolongime, përbërja e re antikorrupsion duhet t’i rreket menjëherë punës, shprehet Arif Musa, ish-anëtar i këtij komisioni.

Përskaj kritereve më të rrepta për zgjedhjen e përbërjes së re të kundër korrupsionit ekspertët dyshojnë dhe kanë dilema nëse në fund do të zgjidhen njerëzit e duhur. Është mirë që nëse anëtarët e ri nuk e kryejnë punën si duhet, mund të shkarkohen para kohe.

Kishte propozim, listat anketuese pas përfundimit të mandatit të paktën dy vjet të qëndrojnë në internet faqen e komisionit. Tani ajo dispozitë është hequr dhe nuk e di pse, e kjo nuk është mirë. Pasi qëllimi i listës anketuese nuk është të shihni me sa pasuri disponojnë tani, por kur të përfundojnë funksionin, nëse në ndërkohë janë pasuruar nga të ardhurat e rregullta që i kanë marrë si rroga ose të ngjashme- deklaroi Vanja Mihajllova, ish anëtare e komisionit kundër korrupsionit.

Mazhoranca pranoi 20 nga 40 amendamentet e opozitës. Shumica pranoi që nisma për financim joligjor të fushatës zgjedhore të mund të dorëzojnë vetëm Organizatat joqeveritare apo partitë politike, por jo edhe qytetarët, siç u paralajmërua fillimisht. Vitin e fundit, aq sa nuk funksionon ky Institucion, në sirtar janë mbi 3000 lista anketuese dhe më shumë se 100 kallëzime për korrupsion eventual që presin të kontrollohen./alsat/