Të jetosh në gjendje emergjente

Kolumna

Diplomati dhe albanologu i njohur gjerman, Johann Georg von Hahn (1811 – 1869), ka shkruar për dallimet ndërmjet njeriut perëndimor dhe atij lindor. Sipas tij në perëndim njeriu jetonte nën sundimin e ligjit, i cili, qoftë mbrojtës dhe kërcënues, e shoqëronte njeriun në rrugën e tij të jetesës, nga djepi deri në varr dhe e mbante, siç thotë, fort prej dore.

“Si të ishte një lule kopshti, i ruajtur dhe i selitur nga institucionet, ai mund të eci i qetë rrugës së vet dhe të jetojë vetëm për vete dhe me profesionin e tij”.

Njeriun lindor ai e krahason me një dru pylli, ekzistenca e të cilit rrethohet nga rreziqe të panumërta, prandaj i duhet të hapë sytë gjithnjë rreth e rrotull që të mos sulmohet në befasi.

“Duke qenë se frika dhe shpresa e tij varen në një masë të madhe nga arbitrariteti i individëve të tjerë, ai si rregull është më i zoti se perëndimori në njohjen dhe trajtimin e njerëzve”.

Hahni në mënyrë telegrafike na flet për dallimet kryesore ndërmjet perëndimorit dhe lindorit.
“Perëndimori qëndron mbi tokë të fortë, lindori mbi tokë të lëkundshme; i pari ka mundësi që t’ia përkushtojë të gjitha forcat ndërtimit të jetës së vet, ndaj nuk i njeh rrengjet dhe marifetet, të cilat i dyti i ka të zakonshme për të ruajtur baraspeshimin në veprimtarinë e vet…”

II.
Mendimtari i njohur shqiptar, Kris Maloki (1900 – 1972), heq një paralele ndërmjet shqiptarit me mendësi lindore dhe atij me mendësi perëndimore. Sipas tij, lindorizma e shqiptarëve është pasojë e sundimit Bizantin.

Shqiptari me mendësi lindore, shkruan Maloki, është qelepir, e konsideron botën vetëm si burim të pashterur mjetesh, qejfesh e lezetesh; nuk e njeh detyrën e ndershme; nuk e njeh sakrificën vetëmohuese ndaj botës; nuk turpërohet për veprën shkatërrimtare që bën, madje bëhet kryelartë, kapadai, qejfli; nuk e njeh turpin, kurse idealet e tij janë kolltuku e llokma. Për t’i siguruar vetes të mirat përdor çdo mjet: kur e do nevoja bëhet “edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerët”.
Ky model, sipas Malokit, është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues, ka instinktet e ujkut vetjak.

Për Krist Malokin perëndimorja nënkupton kryerjen e një detyre të ndershme, pa qenë i shtyrë nga zori apo nga ndonjë dëshirë fitimi material. Është vetëmohim për një detyre që vetë ia ngarkon vetes. Është vetëmohim dhe vetëflijim rreth një ideje të lartë që s’ka punë me kolltuqe apo llokma.

Detyra e përditshme e një perëndimori përmblidhet me kryefjalën: vepro gjithmonë në atë mënyrë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët dhe pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore.

“Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo frikësime fetare, por vetëm e përvetëm në emër të një njerëzimi të lartëm, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal”, shkruan ai.

Për Malokin shpirti fisnik i një perëndimori është “pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik”.

III.
Edhe autori turk, Dyxhane Xhyndiogllu, në librin Motto na flet për jetën në gjendje emergjence.

“Si mund të mendojë njeriu që gjithnjë është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje emergjence, në luftë të vazhdueshme për mbijetesë?”.

E njëjta, sipas tij, vlen edhe për kombet dhe qytetërimet.

“Në Lindje, historia gjithmonë merr një gjendje të jashtëzakonshme, është një histori e gjendjes emergjente; ky është shkaku pse pushtetet janë të privuara nga pedanteria dhe delikatesa”, shkruan ai.

IV.
Mendimet e mësipërme janë aktuale për gjendjen tonë të tanishme, që është gjendje emergjente, gjendje e trazuar, prandaj edhe jemi të privuar nga delikatesa dhe rrojtja pa brenga.

Njeriun tonë nuk e mbron ligji, që vlen vetëm për të varfrit dhe të pafuqishmit. Për këtë shkak ai duhet të jetë më syçelë. Për të mbijetuar duhet t’i njeh rengjet e ndryshme, duhet të përshtatet sa më mirë në perandorinë e kaosit dhe arbitraritetit.

Njeriu ynë jeton nën ankthin e rrezikut që mund të shfaqet papritur si një bajloz i zi legjendash. Pra jeton në gjendje emergjence dhe nuk mundet që gjithë potencialet t’i fokusoj vetëm në profesionin e tij.
Gjendja e emergjencës haset kudo në Ballkan, ku ka shumë frikë retrospektive dhe perspektive, ku ka mosbesim dhe dyshime shtypëse.

Burimi: portalb.mk