Pas përfundimit të pjesës së parë të punimeve në Kongresin e Partisë Socialiste, anëtarët u zhvendosën nga Pallati i Kongreseve, drejt Sheshit “Nënë Tereza”.
Në kuadër të nismës “Bashkia që duam”, këtu kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpalli rikandidimin për një tjetër mandat si drejtues i kryeqytetit.
Në fjalën e tij, Veliaj renditi shumë nga punët e bëra prej bashkisë gjatë këtij 4-vjeçari, në të gjitha njësitë e kryeqytetit, ndërsa prezantoi edhe listën e 100 kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.
“Tirana ka njohur zhvillim, teksa për vite me radhë drejtohej nga sot kryeministri, Edi Rama. në 2015-ën ne morëm përsipër të zgjojmë nga gjumi 4-vjeçar kryeqytetin dhe të nisim një sërë projektesh, që po e transformojnë Tiranën në një qendër europiane. Bashkë me Edi Ramën, jemi më të fortë se kurrë dhe do të fitojmë të gjitha betejat, sepse ne ndërtojmë dhe sepse ne nuk jemi si ata që vetëm prishin”, tha Veliaj.
Veliaj konfirmoi vullnetin dhe dëshirën e tij për të vijuar punën e nisur edhe për 4 vitet e ardhshme, në mënyrë që të çojë deri në fund projektet e nisura, por edhe të nisë të tjera, që do t’i ndryshojnë fytyrën kryeqytetit dhe njësive të tjera administrative të Bashkisë së Tiranës.
“Nëse ne 100 mijë vetë që jemi sot në shesh, takojmë nga një njeri që nuk i është bashkuar ende rrugës tonë të ndryshimit, dhe ta bindin të na bashkohet, atëherë do të kemi një fuqi të pandalshme të ndryshimit”, tha Veliaj./Top Channel/