“Venecia” zbarkon në Tiranë për Metën, ja kë do takojnë

Bota

Komisioni i Venecias zbarkon të hënën më 9 shtator në Shqipëri për të mbledhur fakte dhe për të kuptuar veprimet e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Komisioni ka publikuar në faqen zyrtare vizitën e pritshme të delegacionit që do të vizitojë Tiranën.

Ai thotë se delegacioni do të përgatisë opinion mbi fuqinë e Presidentit për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, në një sistem parlamentar. Komisioni informon se delegacioni do të qëndrojë të hënën dhe të martën dhe do takohen me Presidentin, Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, drejtuesit e opozitës në Kuvend, anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, ministrin e Brendshëm, përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar, Partia Demokratike konfirmoi se ekspertët e Venecias do të takohen edhe me ata të martën, në ditën e dytë të qëndrimit të delegacionit në Tiranë. Sipas PD-së, takimi është planifikuar në orën 8:00 të datës 10 shtator dhe përfaqësues të opozitës aty do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha.

Opinioni mbi këtë çështje është parashikuar të jepet në sesionin e tetorit të mbledhjes së Komisionit të Venecias.

Ndërkohë, të hënën, kreu i shtetit Ilir Meta ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën dëgjimore përpara deputetëve të Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij.

Ngritja e Komisionit Hetimor u kërkua nga një grup prej 55 deputetësh socialistë, pasi kreu i shtetit anuloi zgjedhjet e 30 qershorit.

Partia Socialiste këmbëngul se Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij me këtë veprim, ndërsa të kundërtën mbron Ilir Meta.

Kreu i shtetit është shprehur i gatshëm për t’u përballur në çdo gjykatë për këtë çështje. Veprimin e kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve e mbështeti edhe opozita jashtëparlamentare.