Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhevat Rexhaj, ka kërkuar nga Kryesia e kësaj partie, që të reflektojë për zgjedhjet e reja, që do të mbahen së shpejti në Kosovë.
Rexhaj, në një postim në Facebook, ka thënë se është momenti që kryetari Isa Mustafa të largohet nga ky post dhe se në këtë parti duhet të inkuadrohen kuadro të tjera, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se LDK-së i duhen ndryshime nga brenda, në mënyrë që së paku në këto zgjedhje të ruhet elektorati i saj. Në të kundërtën, sipas Rexhajt, LDK-ja do të përballet me krizën për kalimin e pragut zgjedhor.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Momentumi kërkon vullnetmirët brenda LDK-së qysh nga nesër reflektoni ose u fundosëm!
Humbën zgjedhjet në Llap, sondazhet e shumta e trullosin gjithë anëtarësinë besnike të LDK-së, ndërsa hierarkia e partisë asnjë reflektim, asnjë mbledhje të strukturës. Kësaj i thonë shqip diletantizëm politik.
Ne me qindra e mijëra anëtarë e votues nuk mashtrohemi nga sherifja e haxhi qamilat, ne jemi brenda në LDK, por si aktivist pa asnjë interes në LDK që nga themelimi janar 1990, mendoj e kërkoj që të lirohen me vullnet disa pozita në kryesi, te inkuadrohen kuadro të tjera që do të japin sinjal edhe në opinion qytetar se ka reflektim për gjendjen brenda në LDK. Bile e them haptas mendimin tim se është momenti që kryetari të lirojë postin, të caktojë një ushtrues detyre e pas zgjedhjeve të mbahet kuvendi i punës si e sheh statuti, duke dhënë shembull se ishte dhe është intelektuali që bëri bashkimin e LDK-së se kur e pranoi LDD-në dhe e deshi dhe e do LDK-në pa interesa personale.
Gjithnjë e kam ne mendje se të gjithë në kryesi mbetën emra të çmuar që nga themelimi LDK-së, të gjithë kanë punuar sa kanë mundur për LDK-në, por sikur jeta, ashtu edhe të bërit politikë pëson ndryshime gjatë kohës, moshës e rrjedhave të tjera. Pra, mendoj se duhen ndryshime pa turbulenca, por me vullnet të mirë në kryesinë e LDK-së, në listën e re për kandidat dhe një bartës-e liste të pa ekspozuar shumë në gjithë këtë katrahurë politike me dy koalicionet e dëmshme këto 10 vite me PDK e VV, të cilat arritën qëllimin gati në shkatërrim të LDK-së.
Ky është mendim, qasje dhe dëshirë e imja që për zgjedhjet e ardhshme bile të ruhet elektorati besnik i LDK-së, e ndryshe kam frikën do të luajmë me deten e hyrjes në prag zgjedhor.
Jam i vetëdijshëm se do të kritikohem dhe do i pranoj kritikat, por nuk dua të lavdërohem nga argatët e Qosjes e Albinit siç janë vjodistat e haxhi qamilat!
Sa për fund, e them edhe këtë: familja ime është jeta ime, ndërsa familja ime politike është Lidhja Demokratike e Kosovës.