Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork sot deklaroi se problemi i pazgjidhur me Kosovën e pengon rritjen ekonomike jo vetëm të të rinjve në Serbi, por edhe në rajon dhe se duhet të arrihet zgjidhje e përhershme, kështu që “asnjë palë nuk do të marrë gjithçka, mirëpo do të jetë e mjaftueshme”.
“Ne me guxim dhe realisht me besim filluam të luftojmë për zgjidhje të përhershme për çështjen e Kosovës. Askush më shumë se Serbia nuk dëshiron zgjidhje”, tha Vuçiq, duke u drejtuar para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Prandaj presim forcat e mëdha t’i kuptojmë dhe t’i mbështesin argumentet tona, theksoi Vuçiq, duke shtuar se ai nuk mund të negociojë me ata që thonë “e imja është e imja, mund të negociojmë për atë që është e jotja”.
Ai shtoi se Prishtina ka bërë hapa të njëanshëm, siç është imponimi i taksave doganore për produktet serbe, ndërsa Serbia është përgjigjur me maturi dhe nuk ka vendosur kundërmasa.
Vuçiq vlerësoi se prania e UNMIK-ut është e domosdoshme pasi me atë sigurohen serbët të cilët jetojnë në Kosovë.
“Besoj se marrëveshja midis serbëve dhe shqiptarëve është me rëndësi të madhe për stabilitetin në Ballkan”, tha Vuçiq.