VV-ja : lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, ka një mesazh për Hotin

Kosova dhe Shqipëria

Ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament.

Sot u njoftuam nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se dy muaj më parë, pra me 24 prill, ky institucion ka paraqitur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë të rëndë për presidentin e Kosovës dhe për figura të rëndësishmë politike e partiake.

Së pari, spikat fakti se kjo aktakuzë po publikohet tre ditë para takimit në Washington D.C., ku edhe pse nuk ka transparencë për platformën dhe përmbajtjen e diskutimeve, është deklaruar se mes krerëve institucionalë të Kosovës e Serbisë do të vendosen korniza për një marrëveshje. Pala serbe shkon në këtë takim duke pretenduar legjitimitet pas zgjedhjeve të reja, edhe pse ato janë bojkotuar nga opozita e kontestuar nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa pala kosovare shkon aty me një qeveri jolegjitime të krijuar pas akrobacive kushtetuese, pa mbështetje popullore, e tashmë edhe me një president figura e të cilit rëndohet prej këtyre aktakuzave të njoftuara. Në një tryezë të tillë përfaqësuesit e Kosovës do të paraqiten si të njollosur e të akuzuar, ndërsa ata të Serbisë do të luajnë me zë të lartë rolin e viktimës që kërkon dëmshpërblim, edhe pse Aleksandër Vuçiqi ka qenë ministër i qeverisë gjenocidale të Millosheviqit. Për Kosovën kjo ka kosto të mëdha, të cilat nuk zgjidhen duke dërguar përballë Vuçiqit që kontrollon 90% të parlamentit serb, Avdullah Hotin i cili as në subjektin e dytë parlamentar nuk ka qenë ndër më të votuarit.

Së dyti, në deklaratën e ZPS thuhet se ky publikim po bëhet për shkak se krerët politikë të akuzuar po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar dhe penguar punën e këtij institucioni. Është për t’u habitur se si këta politikanë që mbajnë poste të larta e që përfaqësojnë Kosovën, veprojnë në mënyrë kaq joinstitucionale. Janë pikërisht vetë këta që e kanë votuar dhe e kanë vendosur Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Kosovë.

Në qershor të vitit 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehej se “Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë.”. Subjekti ynë, me sinqeritet e ndershmëri, të vetëdijshëm për çmimin e lartë kombëtar e shtetëror që do të pësonte Kosova nga një përçudnim i tillë i sistemit të brendshëm gjyqësor, e kundërshtoi këtë Gjykatë, edhe në Kuvend, e edhe duke mbështetur protestat. Mirëpo siç dihet kjo gjykatë u mbështet me forcë dhe u votua nga subjektet e tjera parlamentare.

Është për të ardhur keq se si këta politikanë të papërgjegjshëm nuk e kanë patur asnjë brengë për dëmin që i shkaktohet vendit dhe UÇK-së, por janë shqetësuar kaq shumë vetëm për veten e tyre, dhe për akuzat që rëndojnë personalisht mbi ta.

Ne besojmë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së dhe angazhohemi tash e kurdoherë që ta mbrojmë atë. Por ajo nuk mund të mbrohet me marrëveshje prapaskenash dhe me sabotime kulisash. Politikanë të tillë nuk munden më ta përfaqësojnë Kosovën. Kosovës i duhen institucione transparente dhe politikanë të pashantazhuar, që të mos ia ulin asaj vlerën në bisedime, dialogje e marrëveshje ndërkombëtare, si edhe që të ndalet përbaltja e fajësimi i padrejtë i UÇK-së.