Emisioni online “Fol me psikologen” i “Gazeta Shqiptare” ka trajtuar këtë herë disa histori njerëzore.
“Çfarë do të bënit ju po të ishit në vendin tim?”, ky është titulli i rubrikës më të re të këtij programi. Këtë herë është prezantuar shqetësimi dhe pyetja e një djaloshi nga Tirana i cili kërkon mendimin e psikologes dhe mbështetjen e publikut. Ja çfarë shkruan ai në mesazhin e dërguar:
Jam Miri nga Tirana dhe prej disa kohësh kam kuptuar se nuk më pëlqejnë vajzat dhe nuk dua të kem raporte me to. Mendoj se jam gay, por kjo më bën të vuaj shumë. Si mund të jetoj unë nëse jam i tillë? Pse njerëzit që njoh i urrejnë homoseksualët? Çfarë do të bënit ju po të ishit në vendin tim?
Psikologia Ervisa Lula, njëkohësisht autore e këtij programi ka bërë një analizë të dy rasteve të tjera të cilat u trajtuan. Së bashku me psikologen Afërdita Bano iu janë përgjigjur pyetjeve të drejtëpërdrejta të bëra nga 2 vajza. Një 37-vjeçare ka humbur shpresat se mund të gjejë një njeri të hajrit, por dëshiron shumë të ketë një fëmijë. Ka menduar si zgjidhje farëzimin artificial, por nuk di çfarë të bëjë, janë disa frikëra e dilema që e mundojnë: Rritet një fëmijë vetëm? Nëse më pyet për babain si t’i përgjigjem? Këto janë disa nga pyetjet që ajo bën.
Historia tjetër është ajo e një vajze e cila pasi prindërit e martuan me shkuesi, me një person që e dhunonte u largua nga vendi. Ja çfarë thotë ajo:
“Në moshën 18 vjeçare prindërit më martuan me shkuesi, më martuan me një dhunues. U dhunova barbarisht për 12 vite me rradhë, ku për fatin e keq të tyre erdhën në jetë dy fëmijët e mi. Pas 10 viteve arrita të arratisem jashtë shtetit, pas shumë përpjekjesh, 4 vite vështirësi të mëdha rrugëve të Europës, ia dola të marrë letrat në një shtet.”
Peripecitë nuk përfunduan asnjëherë, aktualisht është 4 muajshe shtatzënë, në gjëndje të rënduar shëndetësore dhe mbi të gjitha është braktisur nga babai i fëmijës që pret të lindë. Ai është larguar pa thënë asgjë ndërsa ajo ka zbuluar rastësisht të vërtetën shokuese. Psikologet pas analizës së dy rasteve kanë dhënë orientimin e duhur për të dyja situatat dhe këshilla të nevojshme për secilin rast.