Zyrtare: Ernest Gjoka bëhet trajner i Shkëndijës

Sport

KF Shkëndija ka njoftuar edhe zyrtarisht se e ka emëruar në postin e trajnerit, Ernest Gjokën.

Strategu 49-vjeçar nga Tirana ka firmosur kontratë profesionale me kuqezinjtë dhe menjëherë pas zyrtarizimit do të fillojë punën me seancën e parë stërvitore të caktuar sot pas dite.

Gjoka ka thënë se ka marrë drejtimin e Shkëndijës, pasi është një klub që ka bazë të fortë dhe dëshiron të ketë suksese me skuadrën.

“Mendoj se kam ardhë në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Ligën e Evropës, të kap grupet e Ligën e Evropës apo pse jo edhe Ligën e Kampionëve“, ka thënë Gjoka pas prezantimit te Shkëndija.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi ka drejtuar Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner ka punuar edhe me Vllazninë e Shkodrës, Kamzën, Flamurtarin e Vlorës, Tomorin dhe Apoloninë.

Shkëndija më tej ka falënderuar edhe Erhan Selimin për kontributin dhe rezultatet pozitive gjatë periudhës si ushtrues i detyrës së trajnerit.