10 mijë qytetarë mbeten pa pasaporta

Maqedonia e Veriut

Rreth 10 mijë shtetas janë në pritje për marrjen e pasaportave, por mungesa e tyre rrezikon që ky proces të zgjasë më tepër se sa që duhet. Alsat mëson se rezervat e pasaportave janë nga fundi, përkatësisht si rezervë janë 5 mijë pasaporta të tipit A dhe vetëm 300 në dy gjuhë. Arritja e pasaportave të reja nga tenderuesi gjerman nuk dihet se kur do të ndodh. Aktualisht 8 mijë kërkesa janë për pasaporta në gjuhën maqedonase dhe 2 mijë të tjera në gjuhën shqipe. Zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu tha se për çështje shëndetësore, për viza pune dhe raste të tjera urgjente do t’i përdorin rezervat që kanë.
“Për rastet kur është e nevojshme të udhëtoj qytetari jashtë vendit tonë, me qëllim të trajtimit mjekësor ose për situata apo rrethana urgjente të pashmangshme, ata duhet të deponojnë kërkesë të veçantë në SPB-të dhe këtu në Ministri do të vlerësohen rastet dhe nga rezervat që posedojmë do të pajisen me pasaporta”, tha Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Pas shqetësimit të qytetarëve edhe për mungesë të kartave të identitetit, Ministria e Brendshme ka siguruar porosinë e 20 mijë letërnjoftimeve. Nga atje thonë se nuk do të ketë implikime as për listat zgjedhore të Parlamentareve të 12 Prillit. Nuhiu tha që janë të gatshëm t’i dorëzojnë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve evidencën me të dhënat personale të qytetarëve. Sipas shërbimeve civile të MPB-së rreth 6 mijë shtetas janë në procedurë për marrjen e këtij dokumenti të identifikimit./Alsat-M