Qëllimi i të pandehurit Igor Jug më 27 prill në parlament nuk qenë likuidimi i Zaevit, por parandalimi i zgjedhjes jokushtetuese të kryetarit të Kuvendit, kështu u shpreh avokati i të akuzuarit Igor Jug, Sasho Janev. Në fjalimin hyrës, avokati citoi atë që i kishte thënë klienti i tij, kur e ka pyetur se çfarë po bënte në Kuvend atë të enjte të përgjakshme.
Protestova 65 ditë pa përjashtim, hymë me qëllim të parandalimit të një puçi. Kjo nuk dukej as si një zgjedhje e kryetarit të këshillit të një ndërtese, kemi hyrë shkaku i revoltës së këndimit të himnit të një shteti të huaj, kemi hyrë me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Unë hyra, sepse është turp një njeri prej 120 kilogramësh që e konsideron veten një patriot, të qëndrojë dhe të mos ndërmarrë asgjë kur gjyshër dhe gjyshe e mbrojnë Kushtetutën”- tha Sasho Janev, avokati mbrojtës i Igor Jug.
Sot është vazhdimi i tretë i këtij gjykimi, në të cilin 31 persona janë akuzuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues” ndërsa dy prej tyre akuzohen vetëm për ndihmë. Avokati i të pandehurit Boris Damovski, i cili është një nga drejtuesit e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”, para Gjykatës tha se klienti i tij ka mbajtur vetëm fjalim para Kuvendit.
Ai është fajësuar për një akt, duke mbajtur një fjalim për vendin e tij, për atdheun e tij. Ajo që paraqet akuza është në kundërshtim me përshkrimin kreativ dhe krijues të klientit tim”- u shpreh Rubin Dvojakov, avokat mbrojtës i të pandehurit Boris Damovski.
Dhe mbrojtja e të pandehurit Bogdan Ilievski – Betmen pohoi se ai kishte ushtruar të drejtat e tij kushtetuese. I pandehuri Vlado Jovanovski e tërhoqi avokatin e tij dhe i kërkoi falje gjykatës që mbrojtja e tij e ka quajtur “gjykatë nga një kohë tjetër”. Pa avokat mbeti dhe Gorançe Angelovski. Avokati i tij u tërhoq për shkak të afateve të shkurtra që e penguan atë për përgatitjen për seancat. Kryetarja e këshillit gjykues, Dobrila Kacarska, u dha afate shtesë Jovanovskit dhe Angelovskit për fjalime hyrëse, por tha se ajo nuk do të lejojë që ndryshim i avokatëve të shtyjë procesin gjyqësor. Për dhunën në Parlament më 27 prill prokurorja Vilma Ruskovska pohon se bëhet fjalë për një ngjarje të planifikuar, dhe jo një sulm spontan me emocione. Ruskovska në fillim të procesit gjyqësor tregoi se do ta bind gjykatën se dhe në MPB kishte një vonesë të qëllimshme të përforcimit policor dhe pikërisht Igor Jug kishte hyrë me qëllim likuidimin e Zaevit, por nuk ka pasur terren të pastër për ta bërë atë.
Alsat-M