Nënkryetari i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri dhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, morën pjesë sot në përkujtimin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut.
Në këtë ditë përkujtimore kanë marrë pjesë edhe krerët politikë të Kosovës të cilët e kanë dënuar krimin dhe gjenocidin serbë në Kosovë.
Në anën tjetër, një zëdhënës i BE-së në Kosovë është shprehur se krimet në Reçak janë mirë të dokumentuara.
“Sot ne kujtojmë viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999. Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të dokumentuara mirë na kujton rëndësinë e paqës, drejtësisë dhe pajtimit. Mendimet dhe lutjet janë me familjet e viktimave. Lutemi që viktimat të pushojnë në paqe”, thuhet në kumtesën e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Masakra e Reçakut javë më parë është mohuar kategorikisht nga krerët politikë serbë duke e quajtur të orkestruar për qëllime politike.
Politika kosovare vazhdimisht ka kërkuar sjelljen para drejtësisë të autorëve të masakrës së Reçakut dhe kjo ka ndodhur edhe sot.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare dhe ka shtuar se edhe populli i Kosovës është i zhgënjyer. /Lajmi.net/