Në Klubin e Deputetëve në Shkup para pak kohe filloi takimi i liderëve të partive politike, të cilat kanë më shumë se një deputet në Kuvend, me iniciativë të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Në takim duhet që të tejkalohen dallimet midis partive qeveritare dhe opozitës rreth përgatitjeve të referendumit për Marrëveshjen me Greqinë që duhet të mbahet në vjeshtë.
Zaev, siç u citua në njoftimin e djeshëm të Qeverisë, takimin e liderëve e konvokon në një përbërje të tillë (liderët e të gjitha partive parlamentare me më shumë se një deputet) për shkak të momentit politik shumë të rëndësishëm i cili e imponon zgjerimin e kornizës institucionale të takimeve të liderëve.
Në takim merrnin pjesë kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev me Radmilla Shekerinskën, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Ziadin Sela dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi dhe Imer Aliu nga PDSH-ja, Afrim Gashi nga njëri krah dhe Bilal Kasami dhe Fadil Zendeli nga krahu tjetër i Besës, nga VMRO-DPMNE-ja Hristian Mickoski dhe Tanja Karakamisheva, nga OBM-ja Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin, Lupço Dimovski he Vlladinka Aviroviq nga Partia Sociaiste si dhe Tito Petkovski dhe Goran Misovski nga PRSM-ja.
Kjo është hera e parë që takim i tillë i liderëve të mbahet me këtë përbërje, gjegjësisht të ftohen edhe liderët e partive të cilët kanë më shumë se një deputet në Parlament.
Kryeministri Zoran Zaev në Shtip deklaroi se në takimin e liderëve në tavolinë si temë do ta vendosë referendumin që konform marrëveshjes me Greqinë duhet të zbatohet në vjeshtë.
“Nga takimi i liderëve pres të definojmë temën e referendumit. Kjo nënkupton të përcaktojmë datën e mbajtjes së referendumit, të definojmë çështjen e referendumit dhe karakterin e referendumit, KSHZ-në dhe krejt atë që lidhet me referendumin. Pres të dëshmojmë se me të vërtetë jemi për BE dhe NATO dhe se jemi për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Zaev.
Ai ka dërguar porosi që të respektohet ajo që qytetarët e presin nga partitë, ndërsa siç tha “është obligim edhe sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe të realizohet ajo që partitë paraprakisht janë dakorduar”.
Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot deklaroi se të gjitha forcat politike duhet të gjejnë energji për t’i përafruar qëndrimet dhe të kemi sukses në realizimin e qëllimeve të cilat janë të njohura publikisht, ndërsa është realizimi i marrëveshjes me Greqinë që të hapet rruga drejt plotësimit të standardeve dhe pranimit të Maqedonisë në NATO, si dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Ahmeti, i cili organizoi festim për anëtarësimin në NATO shtoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në dhe se kjo do të na sigurojë paqe, stabilitet dhe prosperitet ekonomik dhe të ardhme.
Kryeministri Zaev e caktoi takimin e liderëve pasi, siç u potencua, VMRO-DPMNE-ja opozitare e bllokoi procesin për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i cili duhej ta organizojë referendumin për marrëveshjen e emrit me Greqinë. Qeveria dje propozoi, ndërsa Kuvendi e votoi nevojën e sjelljes së Kodit zgjedhor, sipas procedurës së shkurtuar dhe me flamuj evropianë. Me të parashikohet përbërja e KSHZ-së të votohet me 61 vota, ndërsa fshihet edhe paragrafi 3 i nenit 27, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të mos e shqyrtojë propozimin. Ndryshimet përfundimisht duhet të sillen pas mbledhjes së Komisionit për Çështje Evropiane, për të cilën kryetari i saj Artan Grubi tha se ende nuk dihet se kur do të caktohet. Megjithatë, edhe Qeveria dhe Kuvendi lanë hapësirë që ndryshimet e Kodit zgjedhor të mos sillem përderisa arrihet kompromis me opozitën në takimin e sotëm të liderëve.