Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në “Magazina Ekonomike” në Alsat, ka pyetur Qeverinë, se si kjo komunë të paguaj faturat e rrymës me urgjencë ndaj operatorëve, përderisa, komuna që ai udhëheqë e ka të bllokuar llogarinë.
Ai ka thënë se ata nuk funksionojnë për momentin me llogarinë, dhe ka thënë që nuk mund të planifikojnë pagesën e atyre obligimeve.
“Qeveria na “ndihmon” përmes asaj që na ka dërguar një letër qarkore të gjitha komunave ku na obligon që me urgjencë të paguajmë faturat e rrymës ndaj operatorëve privat. Nga qeveria urgjentisht duhet të na tregojnë se si komuna e Tetovës, do t’i paguajë faturat e energjisë elektrike të dhjetëfishuara në kohën kur komuna e Tetovës, e ka të bllokuar llogarinë e saj me më shumë se 7 milionë euro vendime përmbarimi. Pra le të na tregojnë se si mund ta bëjmë këtë në kohën kur kemi trashëguar një borxh prej 24 milionë eurove nga të cilat mbi 7 milionë janë në përmbarim. Ne nuk disponojmë për momentin me llogarinë, që të mund të planifikojmë pagesën e atyre obligimeve të cilat janë me urgjencë që të mund të iu shërbejmë qytetarëve”, tha Kasami.
Ai deklaroi se është një situatë tragjik-komike ajo që po përjetojnë ata në Komunën e Tetovës, duke theksuar se çdo ditë gjejnë keqpërdorime financiare që menaxhmenti paraprak i ka bërë.
“Çdo ditë po zbulojmë margaritarë të rinjtë të menaxhmentit paraprak në drejtim të keqpërdorimeve që janë bërë të financave publike të parave të qytetarëve. Në këtë drejtim është simbolike çështja e pagesës së njerëzve të cilët as që kanë bërë ndonjë shërbim ndaj qytetarëve dhe janë paguar me para të tyre. Janë mbi 500 qytetarë jo të gjithë nga Tetova, të cilët janë paguar me paratë e tetovarëve dhe të cilët ndoshta nuk e dinë ku gjendet objekti i Komunës së Tetovës apo cilat janë nevojat e qytetarëve të Tetovës. Ne kemi angazhuar ekip juridik të cilët po përpilojnë padinë penale kundër menaxhmentit paraprak dhe sigurisht ne do të kërkojmë që këto mjete të paguara padrejtësisht dhe pa kryer obligime ndaj qytetarëve të kthehen”, tha Kasami.