Koronavirusi në Maqedoni gjatë 24 orëve, 4 të vdekur, 13 raste të reja dhe 53 të shëruar

Maqedonia e Veriut

13 të infektuar me COVID-19 janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Prej tyre 5 në Kumanovë, 4 në Shkup dhe nga dy raste në Prilep dhe Tetovë.

Më shifrat e reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 1399, në 26 qytete. Shkupi dhe Kumanova vazhdojnë të jenë prijës të listës duke regjistruar numrin më të madh të personave të infektuar që nga shpallja e pandemisë, respektivisht 475 dhe 376. Numri i të shëruarve në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, është shumë herë më i larta se numri i të prekurve. 53 persona kanë fituar betejën me virusin korona, nga të cilët 25 në Shkup, 13 në Kumanovë, 5 në Prilep, nga 4 në Manastir dhe Koçan dhe 1 në Ohër.

Me gjithë lajmet e mira, Ministria e Shëndetësisë informoi edhe për 4 viktima. Bëhet fjalë për dy paciente që mjekoheshin në Klinikën për Sëmundje Infektive, një 58 vjeçare nga Zhelina dhe një 81 vjeçare nga Kumanova. Viktima e tretë është përsëri nga Kumanova. Bëhet fjalë për një 47 vjeçar që kurohej në spitalin “ 8 Shtatori”. Ndërsa viktima e katërt është një 66 vjeçar nga Manastiri, i cili kurohej në spitalin e këtij qyteti. Të gjithë pacientët vuanin edhe nga sëmundje të tjera. Përfshirë viktimat e 24 orëve të fundit, virusi korona tek ne ka marrë 65 jetë njerëzish.

Në vendin tonë numri i testimeve të bëra është 15 409, prej të cilave 289 gjatë orëve të kaluara.

Ministri i Shëndetësisë Filipçe, ka paralajmëruar se nga e marta do të nisë mjekimi i të infektuarve me Covid-19 me plazmë gjaku nga personat e shëruar nga koronavrusi./Alsat-M