Ky është afati i fundit kur qytetarët e Maqedonisë do të duhet të ndryshojnë dokumentet personale me emrin e ri të shtetit

Maqedonia e Veriut

Emri i ri i Maqedonisë do të shoqërohet edhe me shpenzime të reja për qytetarët.

Pas ratifikimit të marrëveshjes së Prespës nga ana e parlamentit Grek qytetarët e Maqedonisë së Veriut, do të duhet t’i ndryshojnë dokumentet materiale të administratës shtetërore, dokumentet për përdorim të brendshëm dhe dokumentet për përdorim të jashtëm. Nëse llogarisim, vetëm nxjerrja e pasaportës së re, letërnjoftimit dhe lejes për vozitje, për një person do të kushtojë rreth 2300 denarë.
Për një letërnjoftim nevojitet kërkesë që kushton 20 denarë dhe fletëpagesë 190 denarë, gjithsej 210 denarë.

Për një pasaportë nevojitet formular që kushton 1500 denarë dhe taksë administrative 200 denarë, gjithsej 1700 denarë.
Për lejen e vozitjes nevojitet formular që kushton 280 denarë dhe taksë administrative 110 denarë, gjithsej 390 denarë.
Për qytetarët të tria këto dokumente kushtojnë 2300 denarë.
Zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha, për TV21 tha se do të jetë e domosdoshme që qytetarët t’i ndërrojnë të gjitha dokumentet që posedojnë, në një afat kohor prej pesë vjetësh, pasi të hyjë në fuqi Marrëveshja e Prespës.

“Saktë në marrëveshjen e cila pritet të miratohet nga parlamenti grek dhe të hyjë në fuqi, brenda 5 viteve, e cila do të jetë e lidhur edhe me hapjen e kapitujve me negociatat me Bashkimin Evropian, do të fillojë edhe ndryshimi i dokumenteve. Kjo procedurë sipas marrëveshjes duhet të mbarojë me një afat prej pesë viteve”, tha Muhamed Hoxha – Zëdhënës i Qeverisë.

Në Marrëveshje qëndron se pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pasi që Maqedonia të mbarojë me të gjitha procedurat e brendshme juridike që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Greqia menjëherë do ta ratifikojë të njëjtën. Kur të ratifikohet Marrëveshja, Greqia duhet që ta miratojë edhe Protokollin për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe të kërkojë anëtarësimin e vendit fqinj me emër të ndryshuar në BE.

Pasi që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Maqedonia duhet që t’i njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucionet dhe forumet që është anëtare, se kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi dhe se më pas do të kërkojë nga ata që ta pranojnë dhe ta përdorin emrin e ri.