Nënshkruhet marrëveshje për ndërtimin e çerdheve në katër komuna në Maqedoni

Maqedonia e Veriut

Në Komunën e Karposhit, Vallandovës, Probishtipit dhe Haraçinës, do të rritet kapaciteti për kujdesin e fëmijëve parashkollor, përmes ndërtimit të çerdheve me mjete në vlerë prej 134 milionë denarë, që janë pjesë e granteve nga Banka Botërore.

Me ndërtimin e këtyre çerdheve, pritet të rriten hapësirat për rreth 320 fëmijë.
Sot në Qeveri u nënshkrua marrëveshje në mes Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe katër komunave.

Ministrja Milla Carovska, tha se deri në vitin 2024 planifikohet të hapen 7500 vende pune në arsimin parashkollor, ndërsa kjo sipas saj, është investim i drejtpërdrejtë tek fëmijët.

Përfaqësuesi i Komunës së Haraçinës Irfan Ilmani, tha se ky është moment historik, pasi do të mundësohet ndërtimi i çerdhes së parë për fëmijë.