Xhafer Shatri
Albin Kurti e Vjosa Osmani para se për vetën dhe partitë duhet të mendojnë seriozisht për fatin e rrezikuar të Kosovës
Koalicioni parazgjedhor LDK-VV ishte i pamundur për shumë shkaqe. Në njërën anë Kurti ishte lider i pakontestueshëm në subjektin e tij, ndërkaq Vjosa Osmani doli në pah, vetëm falë një trysnie të thellë e të kahershme të anëtarsisë së LDK-së, të pakënaqur deri në rrebelim me Kryesinë e saj, ku ka njerëz që nuk meritojnë të jenë as anëtarë të thjeshtë të LDK-së e lëre më përgjegjës të saj.
Falë kësaj trysnie dhe një mbështetje masive të elektoratit ldk-ist, Zonja Osmani, që në pikëpamjen time, pasqyron emancipimin politik të Kosovës, po forcohet për çdo ditë dhe po e rritë ndikimin e saj gjithandej. Me fjalë të matura, por të vendosura.
Në anën tjetër Albin Kurti, i është kthyer elektoratit të tij dhe me elokuencë po parashtron bindshëm programin e tij qeverisës, më bindësin deri tash në krejt lagjen e politikës, dhe po fiton përkrahjen edhe të atyre që, jo kaherë, nuk dëshironin ta shohin me sy.
Kështu që sot i kemi dy rival të denjë përballë njëri tjetrit: Kurtin e vendosur për ta çkapur shtetin dhe Osmanin këmbëngulëse për ta ndryshuar njëherë e mirë masën kritike në favor të përballjes vendimtare të qytetarëve me Prontomafinë. Në këtë kuptim këta prijës të rinj, kuadro të papërlyer e me kurriz, nuk janë kundërshtarë, por rival serioz që ia duan të mirën vendit. Prandaj kjo garë zgjedhore është një shpresë e madhe për Kosovën.
Mendja ma thotë se këta do të polemizojnë e rivalizojnë me programe qeverisëse e jo me grindje personale ose partiake që nuk çojnë askund. Për më tepër ata duhet t’i intensifikojnë kontaktet personale dhe t’ia hapin udhën një koalicioni të madh paszgjedhor duke u koordinuar seriozisht se si ta pengojnë Prontomafinë që t’i vjedhë ose t’i manipulojë votat.
Ky koordinim do të ishte shumëfish i dobishëm, sepse ka të dhëna se Pontomafia, e vetëdijshme për fundin e saj të pashmangëshëm, e ka hapur thesarin e parave të vjedhura dhe po shpërndan monedha me kapuç për të blerë njerëz, komisionerë dhe funksionarë të ndryshëm të shtetit e të partive.
Është një babëzi kriminale që paralajmëron fundin e tmerrshëm të një lukunie çakajsh që nuk kanë lënë gjë të zezë pa i bërë Kosovës.
Pavarësisht rivalizimit dhe zallahisë elektorale, Zonja Osmani e Zoti Kurti, qysh tash, duhet të bisedojnë en tête à tête për projekte të përbashkëta e konkrete që kanë vetëm një qëllim: shpëtimin e vendit nga kthetrat e Prontomafisë. Se cili do të jetë nesër kryeministër, e cili zëvendës i vetëm i tij e njëherit Ministër i Jashtëm, do të vendosë elektorati, përmes numrit të deputetëve. Dhe ndoshta kështu është më së miri, sepse llogaritë janë të qarta dhe kalkulimet më të lehta. Pse po këmbëngul për Ministrin e Jashtëm, sepse nuk ka turp më të madh për një shtet se atë ta “përfaqësojë“ lloj-lloj sharllatani e biçim kokëboshi e aq më zi një vrasës që e ka bishtin e zënë me derë.
Një koordinim i përbashkët për interesat jetike të Kosovës do të ndikojë shumë në rezultatet që sipas të gjitha gjasave do të jenë të thella, sepse Kosova, qytetarët e saj, nuk kanë zgjidhje tjetër: ose të mendojnë për të ardhmen e saj ose të mbesin në mëshirën dhe në kthetrat e Hashim Thaçit me shokë.
Vetëdijësimi se pa koalicionin LDK-VV nuk ka të ardhme është kthyer në një disponim masiv kudo që ka qytetarë të Kosovës. Dhe kjo do të pasqyrohet më 6 tetor kur Prontomafia do të shkojë përgjithmonë aty ku e kishte dhe ku e ka vendin kaherë;
në Shportën e Bërllogut të Historisë!