Pas karantinës 85 orëshe, vijon masat e deritanishme, Kumanova, Tetova dhe Prilepin obligohen me maska dhe dorëza

Maqedonia e Veriut

Pas karantinës 85 orëshe gjatë festave të pashkëve, në Maqedoni prej sot rikthehen masat e njohura aktive të gjendjes së jashtëzakonshme me orë policore nga ora 16:00 deri në mëngjesin e ditës së nesërme në 05:00.

Në kuadër të këtyre masave për komunat e Kumanovës, Tetovës dhe Prilepit janë vendosur masa plotësuese, ashtu që nga dita e nesërme (e mërkurë) kërkohet që qytetarët e këtyre vendbanimeve të lëvizin me maska dhe dorëza, në të kundërtën janë paraparë gjoba prej 1000 deri 1500 denarë. Po ashtu kërkohen kushte për tu mbajtur distanca dhe lejohet lëvizja vetëm e dy personave, përcjell INA.

Për personat mbi moshën 67-vjeçare mbetet aktive ndalesa gjatë gjithë ditëve të punës, prej të hënës deri të premten, ndërsa atyre u lejohet lëvizja e lirë çdo ditë prej orës 10:00 deri në orën 12:00.

Për të gjithë personat deri në 18 vjet mbetet aktive ndalesa e lëvizjes gjatë të gjitha ditëve të punës, prej të hënës deri të premten, përveç se në periudhën prej orës 13:00 deri në orën 15:00.

Barnatoret do të punojnë pandërprerë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë përgatiti plan për punë të papenguar edhe të institucioneve shëndetësore. Përjashtimet nga ndalesa për lëvizje vlejnë për policinë, armatën, punonjësit shëndetësorë, mediat dhe për marketet dhe restorantet të cilët bëjnë dërgimin e produkteve, me çka ata angazhimet e tyre do t’i realizojnë pandërprerë. Nga ndalesa janë përjashtuar edhe personat me nevoja të veçanta me shoqëruesit e tyre. Që ta realizojnë këtë të drejtë, për këta persona nuk do të jepen leje të posaçme dhe mjafton vetëm që me vete të kenë vërtetim të cilin do të duhet t’ua tregojnë nëpunësve të policisë nëse për këtë paraqitet nevoja.(INA)