712 delegatë, nga gjithsej 783 të pranishëm në Kongresin e 23-të të Lidhjes Sociademokrate i thanë “po” kandidimit të Stevo Pendarovskit për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky i fundit në fjalimin e tij tha se kandidimi për një post të tillë është përgjegjësi e madhe politike dhe se do të përfaqësoj të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Më 21 prill dhe më datë 5 maj nuk bëhet fjalë për karrierën politike, ajo do të jetë më pak e rëndësishmja. Shumë më tepër rëndësi ka që të tregojmë se në një shtet multietnik në Ballkan, është e mundur të njerëz të përkatësive të ndryshme etnike të jenë të bashkuar për të njëjtin qëllim: Anëtarësim në strukturat euroatlantike, ligje të cilat avancojnë të drejtat e qytetarëve dhe përfaqësues politik të cilët I tejkalojnë vijat ndarëse disa shekullore mes etniteteve – u shpreh Stevo Pendarovski, kandidat për president.
Në fjalimin e hapjes së Kongresit, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se Pendarovski është përzgjedhja më e mirë, person me integritet dhe përvojë politike dhe profesionale dhe shtoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve.
Stevo është konfirmim i konceptimit tonë “ Një shoqëri për të gjithë”, në Republikën e përparuar euroaltantike të Maqedonisë së Veriut. E di se si president i të gjithë qytetarëve në vendin tonë, fuqinë e tij do ta marrë nga të gjithë qytetarët dhe jo vetëm nga ata qytetarë të cilët do të japin votën e tyre për fitoren e tij – tha Zoran Zaev, kryetarë i LSDM-së.
Më tej Zaev tha se në këto zgjedhje korrigjohet gabimi i vitit 2014, duke e dërguar, më në fund në histori, Gjorgje Ivanov, i cili mandatin e tij e ka keqpërdorur duke përhapur urrejtje dhe duke dëmtuar qytetarët.
Kryetari i LSDM-së, porositi që të punohet me përgjegjësi, ndershmëri dhe tha se askush nuk do të lejohet që të përfitojë në kurriz të qytetarëve.