Efekti magjik i surprizës ka përfunduar për Suedinë, që u mposht me rezultatin 2-0 nga Anglia në çerekfinale dhe do të detyrohet të kthehet në shtëpi.
Nordikët lanë jashtë botërorit Holandën e Italinë, ndërsa eliminuan më pas Gjermaninë e Zvicrën, por nuk arritën të bëjnë asgjë përballë Anglisë.
Skuadra e Southgate tregoi edhe njëherë të gjithë pjekurinë e nevojshme për të marrë rezultatin duhur në sfida të tilla dhe arriti të sigurojë gjysmëfinalen e “Rusi 2018”.
Takimi u zhbllokua në minutën e 30’, kur Harry Maguire devijoi për në rrjetë një top të ardhur nga këndorja, nga ana e Ashley Young. Deri në fund të 45-minutëshit të parë, Raheem Sterling pati dy mundësi mjaft të mira për të dyfishuar rezultatin, por u tregua egoist dhe shpërdoroi.
Gjithsesi goli i qetësisë për “tre luanët” erdhi në minutën e 59, kur fantazisti i Tottenhamit, Dele Alli u lirua në zonë dhe shënoi me kokë.
Minutat e mbetura u karakterizuan nga një nervozizëm deri diku i pranueshëm, ndërsa në ato pak tentativa të suedezëve, portieri anglez Pickford u tregua i gatshëm të bëjë më të mirën.
Në orën 20:00 do të jetë radha e vendit organizator, Rusisë, që të përballet me Kroacinë, për të përcaktuar edhe gjysmëfinalisten e katërt. /SS/
https://youtu.be/wOiv4gqpynQ