Receta e shpejtë e darkës të së dielës: File pule me salcë speci

Receta

E diela njihet si një ndër ditët kur kërkesat për pushim janë mjaft të mëdha.
E pushimi kërkohet të bëhet edhe në aspektin ushqimor. Por, me qëllim që të mos pasivizohemi tërësisht, Living ka përgatitur një recetë të shpejtë për darkën e së dielës.

Përbërësit për 4 persona:

4 fileta pule
2 speca të kuq, të prerë në kubikë të vegjël ose në rripa të hollë të gjatë
200 ml pana për kuzhinë + 3 lugë pana (do t’i përdorim në fund)
gjalpë, kripë e piper

Përgatitja:

Mishin e presim në copa të vogla, që i vëmë të skuqen në tigan me pak gjalpë. Kur të marrin pak ngjyrë nga të gjitha anët, shtojmë copat e specit. I përziejmë me lugë druri për pak minuta.

Shtojmë panën, kripë e piper dhe i lëmë në zjarr të ngadaltë për 20 minuta, duke i përzier herë pas here.

Përpara se ta heqim nga zjarri, shtojmë 3 lugët e panes që kishim lënë mënjanë dhe e shërbejmë me oriz të bardhë.