Nuk mund të thuhet se ai nuk dinte se, si e tha njëri nga diskutuesit, nocioni identiteti evropian, i përdorur në njëjës, mund të ketë vetëm përmbajtje politike, po jo edhe antropollogjike, gjuhësore, historike, kulturore e të tjera. Në Evropë jetojnë popuj me prejardhje të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, me histori të ndryshme, me kultura të ndryshme, me tradita të ndryshme – popuj, kryesisht, të tri familjeve të mëdha etnike: latine, gjermane dhe sllave, të cilët poashtu kanë identitete të ndryshme.
Nuk mund të thuhet se Ismail Kadare nuk ishte në gjendje të shihte se sa dallojnë, fjala vjen, identiteti i finlandezëve prej identitetit të portugezëve, identiteti i suedezëve prej identitetit të francezëve, identiteti i gjermanëve prej identitetit të italianëve, identiteti i hungarezëve prej identitetit të grekëve, identiteti i baskëve prej identietit të polakëve e kështu me radhë.
Megjithatë, të gjitha këto ndryshime që janë pasuri e madhe qytetëruese dhe kulturore e Evropës, Ismail Kadare i fshin, i bën rrafsh dhe i fut nën një nocionideologjik: identiteti evropian (në njëjës) thuajse të gjithë këta popuj janë një dhe nuk ndryshojnë prej njëri- tjetrit. Për Ismail Kadarenë duket se është e rëndësishme që të gjithë këta popuj, sado me prejardhje,me gjuhë, me histori, me tradita, me kultura të ndryshme, kanë një të përbashkët dhe kjo e përbashkët quhet krishterimi. Dhe, pikërisht krishterimi është përmbajtja, është thelbi (kuintesenca) që e shfrytëzon ai për t’i djegur ndryshimet e identiteteve të popujve evropianë dhe për t’i shkrirë ata në një identitet: në identitetin evropian (të shkruar në njëjës)!
Tani pashmangshëm shtrohet pyetja: a mund të mbulohen me këtë nocion, përmbajtja e të cilit është kryekëput njëfetare, disa milionë myslimanë të Evropës sot?
A mund të mbulohen me këtë nocion hebrejtë e Evropës sot?
A mund të mbulohen me këtë nocion hindusët e Evropës sot?
A mund të mbulohen me këtë nocion disa milionë shqiptarë myslimanë, që jetojnë në Ballkan e në Evropë sot?
Pa dyshim, jo. Ata i përkasin një populli evropian – popullit shqiptar, por ata nuk i përkasin fesë së krishterë, që është përmbajtja e nocionit të Ismail Kadaresë Identiteti evropian i shqiptarëve. Në këtë mënyrë, Ismail Kadare në të vërtetë bëhet ideologu i ndarjes së identitetit të shqiptarëve.
Duke e mbështetur idenë e tij të integralizmit shqiptar vetëm mbi krishterimin ai e ndan, e përçan, e thërmon identitetin kombëtar shqiptar, që ëshë i përbërë prej përbërësish edhe myslimanë edhe të krishterë.
Rexhep QOSJA, “MASHTRIMI I MADH”/
MekuliPress.com/