Vlerësim nga Serbia për Albin Kurtin: I pakorruptuar dhe kjo i shqetëson fuqitë e mëdha

Kosova dhe Shqipëria

Ish-zv/kryeministri serb, Zharko Koraç, në qeverinë e të ekzekutuarit Zoran Gjinçiç, në një vlerësim për Albin Kurtin tha se është një njeri jashtëzakonisht normal, i cili flet normalisht, nuk ofendon askënd, jep argumentet e tij dhe të krijohet përshtypja se dëshiron të dëgjojë tuajat.

“Kjo tregon se çfarë politikanësh kemi në rajon, se rrallë dikush është i denjë, që është minimumi për dikë në jetën publike”, tha Koraç, njëherësh profesor.

Kurti është një njeri me pikëpamje të forta politike dhe që në fillim të kujton Adem Demavcin, i cili ishte i burgosuri më jetëgjatë në ish-Jugosllavi, kujton Koraç.

“Kurti është i ngjashëm me të në atë që ka bindje të forta dhe të palëkundshme politike, gjë që është e rrallë për politikanët”, tha Koraç.

Ai shton se Kurti i përket politikanëve të ndershëm, të cilët nuk janë të lidhur me afera, gjë që nuk u pëlqen fuqive të mëdha.

“Ideologjikisht është shumë i qartë, tmerrësisht parimor dhe jashtëzakonisht i sinqertë. Kur thashë se Kurti do të vinte në pushtet, ata qeshën me mua. Ata e shihnin më shumë si një fanatik, të domosdoshëm në skenën politike të Kosovës, por shumë të vështirë dhe të papërshtatshëm politikisht për të udhëhequr vendin”, tha Koraç.

Ai shpjegon se Albin Kurti nuk e ka njohur qeverinë e kaluar të Kosovës, prandaj nuk i ka njohur as vendimet e tyre dhe ky është një nga problemet që Perëndimi tani e ka me Kurtin.

“Ai është një negociator i vështirë, jo në kuptimin njerëzor, por sepse i përmbahet asaj që beson. Është një fenomen që askush në Serbi nuk ka pasur mundësi ta dëgjojë dhe ta shohë Kurtin, ta pyesë diçka dhe të bëjë një vlerësim”, tha Koraç.

Deklarata e Aleksandër Vuçiçit se Kurti është “llum terrorist” është “shpërthim” i së kaluarës radikale të Vuçiqit dhe dehumanizimi i shqiptarëve si popull.

“Dehumanizimi në kuptimin që ju nuk e shihni atë si një disident politik, por si një njeri me të cilin nuk mund të flisni. Në fund Vuçiç do të shkojë në një takim në Tiranë dhe do të poshtërohet, pasi do të bëjë negociata me njeriun që e quajti terrorist”, përfundoi Koraç.