Zaev sot pritet të dorëhiqet nga posti i kryeministrit, hapet rruga për votimin e Qeverisë teknike

Maqedonia e Veriut

Lideri socialdemokrat Zoran Zaev sot pritet të dorëhiqet, duke i hapur rrugë Qeverisë teknike me mandate 3 mujor, e cila do të jetë e fokusuar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, përcjell INA.

Zaev u detyrua të largohet nga detyra gati një vit pa e përfunduar mandatin 4 vjeçar. Ai pranoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas këmbënguljes së partive opozitare. Ekonomisti 45 vjeçar nga Strumica erdhi në pushtet në fund të dhjetorit të 2016, pas protestave dhe aferës së përgjimeve, ku ai ishte protagonisti kryesor që shpalosi biseda e përgjuara, që ishin bërë nga ana e qeverisjes së kaluar të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Zaev do të njihet si një nga kryeministrat e suksesshëm që mbylli kontestin dydekadësh të emrit me Greqinë, por edhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Këto dy çështja të vështira, i hapën rrugë anëtarësimit të vendit në NATO. Ky proces pritet që të përmbyllet gjatë muajve të ardhshëm. Por premtimet në hapjen e bisedimeve me BE-në nuk ishin të suksesshme për Zaevin dhe Qeverinë e tij.

Në përputhje me procedurat kushtetuese dhe sipas marrëveshjes së Përzhinës, 90 ditë para zgjedhjeve duhet të formohet Qeveria teknike, që do të thotë më 3 janar. Kryeministri teknik është propozuar Oliver Spasovski, ministri aktual i MPB-së. Ndërsa opozita e VMRO-së do udhëheq me ministrinë e MPB. Ndërsa, Zaev do të jetë i fokusuar në strukturat partiake si lideri i LSDM, i cili do ti prijë fushatën për zgjedhjet e 12 prillit. (INA)