Kimete Berisha:
1. Jo shoqe. Nuk e kemi fituar luftën me mençuri, por me luftë. Bile luftën ju nuk e keni fitu hiç.
Gjysmë shprese kisha te ti, por, po më bën pishman, mua dhe krejt ata (që janë mbi pesë veta) që më pyesin ‘për kë të votoj’.
Ta mohosh luftën është budallallëk, sepse nuk e mohon PDK-në e AAK-në duke e mohuar luftën, por e mohon realitetin, s’është mençuri të thuash se me ‘mençuri e fituam luftën’.
Mençuria nuk ta solli lirinë, por lufta, gjaku dhe gjymtyrët e shkapërderdhura të shqiptarëve t’shkretë kudo nëpër atdhe, lirinë ta sollën qindra mijëra viktima.
Ta fitosh luftën pa luftuar është art suprem, sipas Sun Tzu-s, por ne nuk kemi art normal që krijohet për s”gjani e për s’gjati n’kauç, jo art suprem.
Mençuri për shembull është m’u përkul para varrit të Titos, derisa të prek hunda në tokë, si Kryetari yt, dhe mos me ia pa sherrin përkuljes, përkundrazi kurrë pa i zhdryp pushtetit.
Se, para varrit të Enver Hoxhës me lule në dorë u përkul edhe Nënë Tereza, por kjo nuk e pengoi të bëhet e shenjtë.
Nuk është mençuri as unë që po shkruaj, se m’u kanë idhnu i madh e i vogël, s’po më flet më kush, (pare jo, shoqni jo) rrugës e trishtuar vetëm po eci’….
Mençuri do të ishte sikur të paguhesha për shkrimet që bëj.
Pra, i mençur është ai që kalkulon dhe nuk e lë veten keq për asgjë mbi këtë tokë e jo ai që sakrifikon.
E, me mençuri ti i ke fitu paret. Qindra familje m’u bë bashkë, tuj punu natë e ditë qe njëzet vjet pas luftës, nuk kanë fitu (e kursy) as 1 për qind sa ti për ‘bebat’ t’ua.
Pra, paret i ke fitu me mençuri, e jo lirinë, lirinë ta kanë pru do ‘budallë’ t’malit atje, me do amerikanë.
Gabimi i parë i kandidates për kryeministre të LDK është mohimi i realitetit. Edhe Vetoni, Serbia e këta thonë që këtu s’ka pas luftë, po konflikt të armatosur.
Luftë ka pas. Duhet me pranu se t’shpallin badallicë.
Poeti të përshkruan figurativisht si ‘flokët që ecin, pa trup’, prandaj mos i lë me ta marrë anën, lidhi ti flokët punxhë ose përrshishati ‘mushki’ e dil me funda cigovan qysh e ke zanat m’i vesh, m’i bë për vete shqiptarët e dëshpëruar edhe në kryetarin dhe partinë tënde.
Se ti ende mbetesh një gjysmë shpresë që e ka fitu lirinë me mendt e ‘s’di kujt’.
2. Ne bëjmë jetë monotone, vegjetojmë si bima, që rritet pa lëvizur vendi, pa përpjekje, pa interesa, pa vullnet.
PDK na ka dëshpëruar deri në atë shkallë sa e vetmja rrugëdalje duket ikja.
Shqiptarët po ikin. Nuk mund ta mbani fshehtë.
Kadri Veseli, shkaktari i korrupcionit dhe i nepotizmit thotë se do ta ‘shpëtojë’ Kosovën nga korrupcioni, anipse partia e tij është ajo që e ka shkatërruar Kosovën….e veç nëse tërhiqet, zhduket komplet nga skena politike me tesh’ e kotesh’, po, na kish pshtu.
Derisa Kadri Veseli flet kundër korrupcionit, njerëzit e tij nëpër ministri u këputën tuj vjedh në emrin e tij e tuj i punësu paramilitarët e tij, akraba e dashamirë të PDK-së (Po më vjen keq me fol me emra sa poshtë ka ra katundi).
Ata (PDK) po bëjnë kërdi, se i kanë Institucionet dhe paret e shtetit në dorë, e ju s’po bëni bash kurrgjë hiç.
Ky është ai paradoksi më i madh që ta plas barkun.
Kundër korrupcionit e nepotizmit flet krijuesi, ideatori dhe autori, ndërsa krimet vazhdojnë.
Ky është absurdi më i madh që mund të ndodh në botë.
Ndërkohë që vjedhin, flasin kundër hajnisë.
Si ata që ndërkohë vdesin, flasin kundër vdekjes.
(I ka çmistu edhe ndërtuesit pa leje, që do t’ua legalizojë krimet urbanistike, aq arrogant është), sepse të gjitha, në një apo një mënyrë tjetër, janë të tyre, të tij.
3. Që s’janë hajna e kriminela (ose që janë hajna e kriminela në pendim e sipër), tregon prezenca e Migjen Kelmendit në PDK. Ky supozohet të jetë ‘kundërhelm për fatalizëm’.
Se sikur të ishte PDK e korruptuar s’do të shkonte Migjeni aty. Ku ku-le le.
Se ky Migjeni e ka rehatu veten dhe vajzën e tij në ambasadë, mirë ka bë, por shumë i ha palla këtij populli burimor për tre grushta këngë dashnije t’lashtë sa harresa.
Për të qenë ‘bindës’ në luftën kundër hajnisë, Kadri Veseli duhet me ja pru Migjenit në PDK komplet grupin ‘Gjurmët’. Plus duhet me bë be në Zot se PDK nuk ia ka punësu çikën, si Ibrahim Tatlisesi që ‘i ka bë be’ Erdoganit n’kry t’nanës.
Kadri Veseli nuk e kupton se kush ngusht’ s’është për asnjërin Migjen, hiç hiç, aspak, neve na intereson jeta e përditshme, se sa për muzikanta në politikë, nuk na ndin, n’këtë kohë, ku për shqiptarët muzika u bë ‘modë’.
Lista e PDK-së mban në fillim, në mes dhe kah fundi shtyllat e krimit, si kodrat që janë shtylla që mbajnë tokën, ashtu është Xhavit Haliti, shtylla e më të keqes dhe fytyra e urrejtjes së pamatshme.
4. Eliza e zbut pak situatën, me veprën e saj të vetme jetësore në oborrin e bibliotekës kombëtare që është ‘vepra’ më e shëmtuar (estetikisht) që mendja njerëzore mund ta imagjinoj.
Edhe vepra e shëmtuar artistike është ‘krim artistik’.
Por zonja, merr pare nëpër ministri, edhe ‘krijuesit’ si ajo edhe chipsat i paguajnë me pare të shtetit kur marrin udhë të gjata nëpër botë dhe kjo strategji e ndihmon shumë PDK-në ta luftojë krimin me njerëz që kurrë s’shetitej me pare të vetat.
PDK e ka Besën që të lutet për ta. Besës nuk i pengon që kryetari i saj e pin rakinë si ujin, ajo flet qetë dhe me përgjegjësi ‘kuranore’, tregon se si femrat shqiptare nuk e kanë detyrim të mbajnë shami, por shaminë e mbajnë për qejfi.
Pra, Besa e ka qitë një ‘Fe të re’ të PDK-së, veç për nevojat e partisë, se kjo feja që njohim ne, thotë se femra e ka obligim të mbulohet, pati qejf, s’pati, s’pyet K’urani për qejfin e femrës.
Ama PDK e ka edhe Blerim Latifin që s’beson hiç në Zot por beson në Kadri Veselin. A ka mallkim më të madh jetësor sesa me besu në Kadri Veselin e mos me besu në Zot.
PDK, si qendra tregtare ‘Mekka Mall’ në Mekë, ku ndalohen të hysh pa shami, por aty lejohen të shiten të brendshmet e firmës së Paris Hiltonit (e cila me duart e veta e ka hap dyqanin e vet aty), dhe aty i gjen salltanetet e natës së shtëpive më të njohura botërore të modës.
5. Veç LDK nuk luan me sentimentin e fesë islame, ndërsa me ndjenjat për Zotin e myslimanëve e ka zanat të luaj e para Vetëvendosje, e pas saj PDK, sidomos Kadri Veseli, se Hashimi ndryshe, ai ka qenë i flaktë për ‘Krishtin’ derisa u ftoh një ditë edhe prej ‘tij’.
6. Janë harxhuar fjalët, janë harxhuar rrenat, se të njejtit njerëz, të njejtat mesele, e njejta shëmti dhe të njejtat rrena. Fushatë më të lodhur, më bajate dhe më falls se kjo s’kemi pasur.
7. As Vetëvendosje nuk e ka listën për ‘mashalla’. Përkundrazi, i ka tubuar do mendjemëdhenjë dhe do idiot/e, që kujtojnë ta shfrytëzojnë Vetëvendosjen për interes, nevoja dhe hakmarrje personale.
Ka në listë edhe figura jashtë masës injorante, intrigante dhe ordinere që deri dje janë sjellur si hyzmeqarë banalë të Hashim Thaçit.
Hysamedin Ferajt, më dikushi i duket Albini se Skënderbeu. Ju ka tek.
Albini t’ia spjegoj atij se Skënderbeu është më i madh se ‘unë’, ta bind njerin se sikur perandoria osmane të mos ishte pushtuese, s’do të ishte larguar nga këtu, tjetër gjë që shqiptarët u përbishtuan me ta, me zor e me qejf.
Të ishte Skënderbeu kundër fesë islame aq shumë sa shkruajnë s’do të ishin bërë gati krejt shqiptarët myslimanë.
Ai ishte kundër pushtuesit të tokave shqiptare, jo kundër Zotit që ‘e solli’ pushtuesi, se edhe vet turqit (si ne) pak me dajak arab e pak me ‘qejf’ arab u konvertuan në myslimanë.
Skënderbeu e fitoi luftën kundër pushtuesit të tokave tona, por e humbi luftën kundër pushtuesit të qiejve (kundër fesë islame). Q’ashtu diçka.
Përveç Skënderbeut, Albini kujton se ne shumë po vuajmë për bashkim me Shqipërinë. Albini nuk e din se ne e kemi zanat që me na ndodh me një shqiptar t’Shqipërisë m’u idhnu, ia marrim inati krejt Shqipërisë dhe anasjelltas.
Albini ka përfshirë në listë për deputet përfaqësuesen e Durrësit veç pse e ka këndu një këngë për Çamërinë.
Populli nuk e ka gajlen e Çamërisë, as nuk na intrigon aspak përfaqësuesja e Durrësit në Kuvend. O hiç hiç s’kemi nevojë për patriotizëm (Patriotizmin besoja Edi Ramës, se e kish lshu edhe mjekrën e kish marrë karakteristika leshatare të Ismail Qemailit. Shumë serioz).
Bashkojeni ju Kosovën pa na treguar, befasona, ama dijeni se ajo lloj dashurie është vjetëruar.
Nuk ka ardhur dita, por ka kaluar koha me fitu pushtet në Kosovë, në shpinë të Shqipërisë.
Ne që e kemi përjetuar luftën jemi lodh nga ‘luftërat e gjata’, tash kemi nevojë për pak ‘jetë normale’, ata që kanë lindur pas luftës, nuk preferojnë as shqip me fol lëre më me ju votu juve bajata që as emrat nuk ua dinë gjeneratat e reja.
8. Neve na intereson jeta e përditshme. Buka na
intereson neve, m’i siguru drutë e dimrit, turshitë, në vend se me ardh mistika e poezia nga Egjipti, neve na vijnë patatet nga Egjipti (duke i pasur tonat në Dobërllukë e që ju i çoni dëm, i keni shkatërru fermerët),
liria personale na intereson, siguria, drejtësia, sidomos paret na interesojnë, teshat e reja, barazia, punësimi, me pas
pare me dal një herë në muaj,
me i liru kerret dhe me bë si në vendet evropiane që i regjistrojnë një herë në tri vjet e jo si neve që na mbytën tuj na vjedh;
na inteeson m’u liru nafta si në krejt botën, m’i arrestu hajnat, skllavopronarët,
mos me
leju m’u shfrytëzu punëtorët e shkretë si skllevër; neve na intereson me pas ku me dal, mos me pa pështymë e qurra xhades, na interesojnë filmat e mirë, naj poezi e naj fjalë e mirë aty këtu dhe qytetaria.
Më nuk na interesojnë heronjtë. Bëhuni ju heronjë pa na treguar. Kur të bëheni, e marrim
vesh.
9. Albini nuk më ka pëlqyer as kur ka postuar foton e bashkëpartiakes së tij nga gjinekologjia. Gjest tepër i thjesht. Ka gra që nuk mund të lindin, dhe vdesin me zhig për t’u bërë nana e kjo nuk i bën të pavlefshme ato. E di që pa qëllim, por s’ka nevojë edhe bebat m’i shfrytëzu për fushatë.
10. Në këtë tekst vlen të përmendet edhe Ramushi. Ramushi i ka bë do punë interesante: e ka ndal dialogun me Serbinë; e ka ndal mallin serb me hy në vendbanimet me shumicë shqiptare; e ka relativizu dhe ia ka marrë fuqinë vendimarrëse Listës Serbe në Kuvend…Nuk është pak.
Veç një behane të madhe e ka ky, pareve s’ju lë vend. Kush prek në pare dhe në jetën private të popullit, duhet me ja thy hundën me votë.
Përveç rezervat e shtetit që i ka bë rrush e kumbulla, gjysmë miliona euro Ramushi i ka ‘dhënë’ veç për pastrimin e Kosovës, kurse bërllogu s’ka lëvizur vendi.
Deklarata e drejtorit të një arroporti të Belgjikës për Kosovën e papastër, s’është raciste, por e vërtetë. S’ka vend më të papastër se Kosova.
E ka pa Dardanin avdall, e shfrytëzon me çitë shkelma. Fati i viktimave që agresori nuk i ka këmbët e gjata.
Ka pak art luftarak edhe në gjestet luftarake të Dardanit, ky e shfrytëzon terrin si armën kryesore, i godet armiqtë pas shpinës, këmbëve dhe mund të ndodh ka ‘instikte të fjetura vrastare’.
Rrini gati djalit, sa s’e ka mbyt najkon, se njëherë kish pas ndodh njani e gjuan njanin me kokërr të kallamoqit n’kry e ish pas vdek n’vend.
Por, ju duhet t’ia plotësoni dëshirën Ramushit. Ai ka dhënë dorëheqje pse nuk dëshiron të shkoj në Hagë si Kryeministër, prandaj mos e bëni telashe as veten as Ramushin, mos e votoni nëse ia doni të mirën.
11. Për Berishën e FARK-ut që për një jetë më të mirë shkoi te Kadri Veseli s’do të shkruaj ‘keq’ se ma ka bë ‘Like’ në faqe.
12. Dikush më tregoi se në Listën e PDK-së për deputet, planifikuan ta fusin edhe Dren Abazin (përfitues i rregullt i fondeve qeveritare për realizimin e koncerteve komerciale), si magnet për tërheqjen e monahëve, vetmitarëve, të braktisurve, të mashtruarve, të zhgënjyerve dhe të pashpresëve.
Por, kur ia kqyrën llajkat në këngë, e kuptuan se ne jemi populli i veçantë, me vujt’-vuajmë valla pa pushu, por muzikën e dëgjojmë të hareshme.
13. Kur më erdhi njëra ftesë për t’u bërë deputete, isha pak a shumë e pikëlluar, po ju tregoj drejt.
Po mendët kur t’çkepen, e dini ju, çka s’kujtohet njeri, më ra ndërmend Boris Jelcini.
Në autobiografinë e tij (më duket) tregonte se si kur e kanë kërkuar natën të marrë ndonjë vendim të madh për shtetin e për jetët e qindra miliona njerëzve, tha, thoja me vete: ‘Mirë që nuk e dinë këta prej çfarë njeriu të dëshpëruar po kërkojnë shpëtim’.
Gati krejt e kam humbur besimin se këtu mund të bëhet mirë.
P.S. Me gjithë ato që thashë, Albin Kurtin duhet ta provojmë.
Vjosën mos me lënë anash, anipse ajo po lyp nga ldk-istët mobilizim si në vitet e 90′-ta kur çdo gjë në Kosovë ishte LDK, sepse ishte Ibrahim Rugova dhe kishim ‘punë’ me Serbinë, jo me njëri-tjetrin.
A po don edhe 3% m’u ta kthy, m’i shitë idealistët edhe tokat për LDK e paret e tyre m’i përdorë si atëherë Isa Mustafa me shokët e tij, e kurrë mos me ardh dita e atyre që shitën e dhanë çka patën për LDK!
E kaluara s’na intereson. Gjigantët, heronjtë, legjendat, dhe ‘thirrja e shpirtave’ neve nuk na intereson.
Neve na intereson e tashmja.
Çka mund të bëni për ne?
A mund ta lironi rrymën, për shembull!