Se ç’ishte një kohë kur odat fitonin hijeshinë nga protagonistët e përligjur me tipare burrërie.Se ç’ishin ato oda sllatinase, të cilat, thuase kanë qenë të destinuara të bashkëjetojnë vetëm me burra të rangut të Sali Kasamit e Elmaz Misimit, këtyre kalitësve të fjalëve, mençuria e të cilëve shtrihej shtruar – shtruar në postaqitë e leshta të kryevendeve, stisej e stisej sa, nuk mbetej edhe një dromcë fjale pa mos u gdhendur e latuar mirë e mirë nga këta dizajnues të muhabeteve e meseleve, me domethënie e moral, me mesazhe e porosi…
Kështu, Ata do t’i këshillonin gjeneratat, të cilat pretendonin të merrnin “guximin” e të hynin në odat e burrave: “Kujdes, djema: kur të hyni në oda burrash, duhet të jeni trima e azgana se, në odë Ju rrehin me fjalë!”. E, këtë kajde, këta dy burra e njihnin mjaft mirë. Ata, lëre se nuk mund t’i “rrihte” kush me fjalë, por s’guxonte kush edhe t’ua kthente fjalën, edhe atë, jo nga frika, por nga pesha, kujdesi dhe gjykimi që përligjte mananë që jepnin Ata – marifet, të cilin e kishin përvetësuar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre, dhe që,tani më e kanë ngritur në piedestalin e burrërisë. E, kush do të ishte ai “guximtar” e t’ua dredhonte muhabetin këtyre mençurakëve të sobave? Kush do të ishte ai burrë nëne që do të dyshonte apo kundërshtonte vendimin e “islihatit” që drejtonin Sali Kasami apo Elmaz Misimi? Askushi.
Fjala e tyre që ishte zakon e që peshonte rëndë, ishte e respektuar dhe e nderuar, jo vetëm në odat sllatinase, por edhe më gjërë në Pollog. Zani i tyre do të shpërthente edhe kufinjtë e Nahisë, dhe do të dëgjohej edhe në kuvendet e Kosovës, sidomos Ape Sali, i cili, krahas zanatit të tregtisë që ushtronte për mbajtjen e familjes, (si në: Tetovë,Gostivar, Kërçovë e Kumanovë, madje edhe në: Ferizaj, Lypjan,e deri në Prishtinë e Prizren),zgjëronte bashkëpunimin edhe me shumë burra të kuvendeve edhe me miq e veprimtarë të dalluar nga këto rrethe, e të cilët kishin “Akademinë e Madhe” të Pleqnarëve, si: Binak Alisë, Ramdan Shabanit e Xhemal Obrisë; të këtyre kolosëve të Odave Shqiptare, të cilët, Sali Kasami dhe Elmaz Misimi i përmendnin gati në çdo mezliç, sepse, shumë i mençur duhet të jesh, për të nderuar të mençurit. Ata dinin, se: “Aty ku çmohet guximi, ka trima; aty ku çmohet urtësia, ka të mençur, kurse atje ku nuk çmohet asgjë, nuk ka kurgjë.”
Kështu, maturia e këtyre burrave të mëdhenj të Sllatinës, këtyre kryekuve-ndarëve, nuk pushonte së reflektuari gjithnjë edhe tek gjeneratat e reja apo “Burrat e rinj”, siç i quante Ape Elmaz. Ata dinin se vendin e prijatarëve do ta trashëgojnë të rinjtë, që “u rrjedh buza tambël”. Ata vet potenconin shpesh nëpër oda: “Dynjaja është me shkallë, disa hypin, kurse disa zbresin”. E,kur një natë në odën e sllatinasit, Ramadan Neimi, ishte kallë muhabeti, Ne si më të rinj që ishim, të vetëdijshëm se tek këta burra do të gjejmë përgjigje të mençura, pyetëm:
-Kur do të bëhet mirë për Shqiptarët, bre burra?
Të dytë luajtën pakëz nga postaqia ku ishin ulur. Ape Sali që kishte në dorë një cigare, që i hiqte erë, ia lëshoi radhën Apës Elmaz, i cili thurrte kaçakun nga duhani i verdhë dukat, për të marrë fjalën:
-Shifni, këtu, Ju burra! Këtë pyetje ia kanë bërë edhe Ramadan Shabanit, diku në Odat e Drenicës. Po, unë do të shtoj edhe nja dy gjëra. Ramadani ka thënë se Shqiptarët do të bëhen mirë, kur do ta njohin mirë vetveten. Kurse unë do të plotësoj edhe këtë: ”Ner sa ta njofe mer shiptari vetvitin, miçët hakikat ene kohën, vaktin, kurri rahat s’ka me kën”.
E, kështu, nxitjet në këtë muhabet, nuk do të prajnë. Të rinjtë do të kërkojnë edhe ndonjë këshillë apo siç i themi Ne: ndonjë mesazh. Tani “ujin” e merr Ape Sali, duke u kollitur rëndë, do të fillonte:
-Uneshtatdhet vjet i kum kapërcej. Pi ktua, tet’ fjal i këm n’arkën teme, çi duhet tu va thëm Juve ma t’rive, xhi ta kini ndërmend; e para duhet t’i lutesh Zotit: Rujma Zot menden; e dita: Rujmi Zot sejt; e treta: Rujma Zot shnetin; kurse e katra: Rujma Zot “Fterën”. E, katër qerët, di duhet me i përmend: Vdeken ene Zotin, kurse di nuk duhet me i përmiend: T’merën xhi ia buën dikujt s’duhet me e përmend se ja hupën vleftën e kimetin asaj, po edhe t’keçen xhi ta bon dikush, nuk duhet me e përmend, se e kieçja sa ma shëm përmendet, aç ma shëm shtohet. Po,sa t’shtohet e keçja, buëni sa ma shëm mer e, mus e përmendni, kshtau xhi ne t’shtohet e mejra.
E, kështu, qoftë!… Kështu urojmë edhe mbas sa e sa vitesh!
SHKRUAN, Syrja ETEMI