Njësitë Zgjedhore përplasin partitë shqiptare

Maqedonia e Veriut

Debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor përplasi me argumente dhe kundër argumente, Aleancën për Shqiptarët, Lëvizjen BESA dhe BDI-në, përfaqësues të të cilave ishin të ftuarit e radhës në emisionin Rruga Drejt që do të transmetohet sonte me fillim në orën 20 e 40 minuta. Të tre partitë janë për ndryshimin por për modele të ndryshme. BDI-ja mbështet zgjedhjet me lista të hapura, por me gjashtë njësi zgjedhore, sa janë aktualisht.

Mendoj se sistemi proporcional me lista të hapura jep një mundësi që të kemi një parlament me deputet më cilësor. Iniciativa për një njësi zgjedhorë nga partitë e vogla politikë, në të kaluarën është dëshmuar se partitë e vogla, nxjerrin ide në emër të partive të mëdha maqedonase – tha Tahir Hani, BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët propozojnë sistemin me 8 njësi zgjedhorë, pasi siç thonë do të fitonte rëndësinë e saj vota e çdo qytetari. Sipas Aleancës modeli me një njësi zgjedhorë është i papranueshëm, sepse me të do të humbiste vota e shqiptarëve.

Për shembull kush me garanton mua se do të më mbrohet vota në vende ku do të jenë komisionet vetëm nga VMRO-ja apo LSDM-ja. Mua nuk me jep askush garanci se atje nuk do të mbushen kutitë për t’u arritur census deri në atë masë sa që vota shqiptare të mos arrije të artikulohet në mandate – theksoi Remzi Memedi, Aleanca për Shqiptarët.

Lëvizja BESA, propozon sistemin me tre njësi zgjedhorë pasi sistemi aktual zgjedhor nuk është i duhuri, meqë sipas kësaj partie ka qytete apo zona më shumicë shqiptare të cilat janë të ndara në dy njësi zgjedhore, ku përmend Kërçovën, Dibrën apo edhe Çairin.

Përshtypja tek votuesit shqiptarë është se njësia e 6-të zgjedhore dhe shqiptarët në përgjithësi janë të dëmtuar dhe kjo është realitet, pasi që çdo cikël zgjedhorë me automatizëm njëherë heqin gjysmën e qytetit të Dibrës dhe në këto rrethana ne do të arrijmë që vazhdimisht të bëjmë koncesion në dëm të votës shqiptare -u shpreh Arianit Hoxha- Lëvizja BESA.

Gjatë debatit mes mysafirëve nuk munguan akuzat edhe për çështje të tjera si arsimi, shëndetësia, gjyqësia.

Evi Shkopi
https://youtu.be/5fH4ypxbhIs