Pogba godet Mourinhon: Kisha mbetur nën hije, nuk isha i lumtur duke qëndruar në stol

Sport

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka thënë se trajneri i tij i ri, Ole Gunnar Solskjaer, ia ka kthyer buzëqeshjen në fytyrë, pasi ai pretendon se kishte mbetur nën hije kur klubi ishte nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Marrëdhënia toksike e mesfushorit francez me ish-trajnerin Mourinho e kishte arritur kulmin muajin e kaluar, kur portugezi e kishte cilësuar si virus francezin, gjatë një bisede në zhveshtore pas ndeshjes kundër Southamptonit. Pogba ishte lënë në stol në tri ndeshjet e radhës, transmeton Gazeta Express.

Mirëpo, Pogba i është kthyer formës së tij të vjetër tani, nën drejtimin e Solskjaer, duke i shënuar katër gola dhe duke i bërë katër asiste gjatë gjashtë ndeshjeve me trajnerin e ri. Ai shkëlqeu edhe në ndeshjen e mbrëmshme kundër Tottenhamit, ku asistoi në mënyrë të mrekullueshëm golin e vetëm të ndeshjes.

Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi e Manchester Unitedit, e pesta në Premierligë, dhe Pogba ka thënë se ai është duke e shijuar lirinë dhe mbështetjen që po e merr nga trajner i tij i ri. “Djajtë e kuq” tani kanë baras pikë me Arsenalin, në vendin e pestë, dhe janë gjashtë pikë larg Chelseat, në vend të katërt.

“Jo, natyrisht [jam më i lumtur]. Para se të vinte trajneri [Solskjaer], unë kisha mbetur nën hije, i lënë në stol. Nuk jam i sigurt nëse ndonjë futbollist mund ta pranojë të mbetet në bankën rezervë. Tani, po e shijoj lojën. Jam duke e bërë atë që e dua kështu që është normale. Jemi duke fituar kështu që unë po buzëqesh”, ka thënë Pogba.

“Është një kënaqësi të ribashkohem me të [Solskjaerin]. E njoh atë që kur isha në akademi dhe në ekipin e rezervave. Ne e quanim atë ‘superzëvendësuesi’. Ai është duke bërë punë të mrekullueshme”.

“Ai ka qenë një lojtar, ai e njeh mentalitetin e këtij klubi. Ai është kthyer për të na ndihmuar dhe të na ngre një nivel më lart. Ai është duke e bërë një punë të mrekullueshme, por sezoni është ende i gjatë dhe ende është larg përfundimit. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Jam duke luajtur në një pozitë më sulmuese dhe ndiej se kam më shumë siguri prapa meje. Kjo gjë ma jep mua lirinë të shkoj më shumë në fazën e sulmit, të tentoj të futem brenda në zonën e portierit kundërshtar dhe t’u ndihmoj sulmuesve”.